Bashkia evidenton të papunët
Nis bashkëpunimi me Ministrinë e Punës
Një pjesë e mirë e të rinjve punojnë në të zezë
Bashkia e Durrësit ka nisur prej disa javësh bashkëpunimin me Ministrinë e Punës, me qëllim që të ulet numri i papunësisë, i cili është një problem social jo fort i prekshëm për qytet-portin më të madh të vendit. Kjo për faktin sepse Durrësi mbart resurse të mira dhe energji pozitive lidhur me progresin e bizneseve dhe natyrshëm edhe uljen graduale të papunësisë. Rreth këtij problemi kryetari i Bashkisë së Durrësit, Dako deklaroi një ditë më parë se “në qytetin e Durrësit të regjistruar si të papunë figurojnë 5171 persona, të cilët kërkojnë nga zyrat e shtetit që të punësohen, por në fakt ky numër është më i madh pasi një pjesë e mirë kërkojnë punë ditore në sheshin ”Omonia” të Durrësit pranë spitalit, e një pjesë tjetër punojnë në të zezë. Bashkia e Durrësit ditët e fundit kreu një studim me objekt njohjen e situatës sociale të qytetit”. Dako tha për “standard” se “prej disa kohësh ne kemi nisur bashkëpunimin edhe me dikasterin e Punës”. Sipas këtij studimi, rezulton se në qytetin e Durrësit rezultojnë të punësuar 47 329 persona me dokumentacion të rregullt prej të cilëve 10 343 janë të punësuar në sektorin shtetëror,19 117 janë të punësuar në sektorin privat dhe 17 869 persona rezultojnë të punësuar në sektorin privat bujqësor. Sipas të dhënave më të fundit, numri i të papunëve të regjistruar është 5171 prej të cilëve 2959 janë femra. Prej tyre 550 janë kryefamiljarë. Të rinjtë punëkërkues zënë 60% të këtij numri të papunësh. Por, burime nga Bashkia e Durrësit bëjnë me dije se numri i të papunëve është më i madh se ai në letra pasi sipas sondazheve, rezulton se një numër i madh të rinjsh punojnë në të zezë, një pjesë tjetër kërkon punë ditore për çdo mëngjes në sheshin pranë spitalit rajonal të Durrësit, ndërsa pjesa tjetër nuk janë regjistruar fare te lista e të papunëve.
Burime të brendshme nga Bashkia e Durrësit bëjnë me dije se është një armatë e tërë e cila punon në të zezë në të cilën përfshihet sektori i ndërtimit si dhe ai i konfeksioneve. Të parët janë të angazhuar në grupe të vogla ndërtuesish, hidraulikësh, shtruesish pllakash, të cilët punojnë së bashku, por nuk deklarohen për t’iu shmangur detyrimeve financiare. Ndërsa në konfeksione janë një numër grash e vajzash që përfitojnë vetëm pagën dhe asnjë të drejtë tjetër, duke nisur që nga pagesa e sigurimeve për pension, sigurimet shëndetësore, lejet e zakonshme dhe të drejta të tjera të cilat sanksionohen në Kodin e Punës. Në qytetin e Durrësit janë 559 familje të cilat përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike të qeverisë me një fond prej 2 229 518 lekësh si dhe 80 të tjera të cilat trajtohen nga fondi i bashkisë për këtë kategori. Për të zbutur këtë situatë, bashkia e Durrësit ka realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe të Shanseve të Barabarta, projektin “Punësimi i personave të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike nëpërmjet mirëmbajtjes të mjediseve në zonën e plazhit”. Mendohet se deri në viutin 2009, numri i të papunëve të bjerë ndjeshëm, falë kjo çeljes së bizneseve të reja dhe hapjes së fronteve të reja për punësimin e mijëra prej tyre.
Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”, për pushime në Velipojë
Fëmijët jetimë të shtëpisë "Zyber Hallulli" në Tiranë pas mbylljes së vitit shkollor, kanë filluar pushimet verore. Drejtuesja e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, Jorida Caroshi, tha se “fëmijët këto ditë kanë filluar pushimet mbi bazën e një plan-programi. Aktualisht, ata po pushojnë në Velipojë, ku do të qëndrojnë për rreth një muaj”. Në këtë institucion banojnë rreth 70 fëmijë jetimë. Shtëpia e fëmijëve "Zyber Hallulli", ku akomodohen fëmijë të moshës 6-14 vjeç, është një nga institucionet më të hershme të këtij lloji në vend, ku që në vitin 1912 janë rritur dhe edukuar disa breza fëmijësh jetimë. Institucioni mbështetet nga fondacioni "Shpresë për Botën", i cili bashkëpunon jo vetëm me projekte të përbashkëta mbi aktivitete të ndryshme, por edhe me një investim financiar për akomodimin e fëmijëve në mënyrë bashkëkohore me vlerën rreth 20 mijë dollarë për dy vitet e fundit. Gjithashtu bëhet me dije se përveç shërbimeve të përgjithshme administrative-psiko-sociale, mjekësore e edukuese, aktivitete të ndryshme, ky institucion ofron edhe shërbim integrues, konvikt për fëmijët që mbushin moshën dhe dalin nga institucioni etj.
Elbasan, shtohen sipërfaqet e gjelbëruara
Për vitin 2008 Bashkia e Elbasanit ka akorduar rreth 15 milionë lekë për investimet për gjelbërimin e këtij qyteti. Bëhet me dije se gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, në qytetin e Elbasanit janë shtuar më shumë se dhjetë lulishte si në qendër të tij, ashtu edhe në lagje të ndryshme, me shumëllojshmëri lulesh si, trëndafila, rozmarinë dhe pemë dekorative. Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike kanë mbjellë një shumëllojshmëri lulesh edhe në mjediset e parkut “Rinia”. Shefi i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Qemal Tusha, tha se "kjo ndërmarrje sapo ka përfunduar krijimin e një fidanishteje te lagjja “Belebe” në dalje të qytetit, ku është kultivuar një fidanishte prej rreth një hektar, e cila ka më shumë se 500 rrënjë lulesh ngatë gjitha llojet. Krahasuar me vitin 2007, shpenzimet për gjelbërimin janë rritur 26.6 për qind, me qëllim shtimin e gjelbërimit në qytet.