Bajram-Curri; Bashkia shton sipërfaqet e gjelbëruara
Sipërfaqet e gjelbëruara në qytetin verilindor të Bajram-Currit kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë këtij viti, përmes fondeve të akorduar nga bashkia, e cila po tregon vëmendje në këtë drejtim. Sipas kryetarit të Bashkisë së Bajram-Currit, Nuredin Ahmetaj një ditë më parë, mësohet se "vetëm gjatë këtij viti janë mbjellë rreth 2000 pemë në rrugët kryesore të qytetit, si dhe janë ngritur 2 lulishte në mjediset e lagjeve". Aktualisht në këtë qytet me rreth 7.000 banorë sipërfaqja e gjelbëruar arrin në rreth 75 mijë metra katrorë, ose rreth 8 metra katrorë për frymë. "Synimi është që të arrijmë treguesin mbi 10 metra katrorë sipërfaqe të gjelbëruar për frymë", - theksoi Ahmetaj. Në këtë drejtim, ndikim pozitiv ka dhënë parandalimi i ndërtimeve pa leje, por edhe kontributi i vetë komunitetit, i cili ka rritur kujdesin për sipërfaqet e gjelbëruara pranë pallateve, gjë që ka lehtësuar punën e specialistëve të bashkisë