Dentistët, me Urdhër Stomatologësh
Në ligjin "Për shërbimin shëndetësor stomatologjik", i cili është miratuar së fundmi, janë riparë dhe pozicionet e institucioneve stomatologjike, organizimi i tyre, mënyra e financimit, si dhe strukturat e kontrollit, së bashku me kualifikimin e punonjësve të këtij sektori. Ndërkohë, ky ligj vjen në kuadrin e reformës dhe ndryshimeve që ka pësuar ky shërbim. Shefja e Sektorit të Stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë, Çiljeta Pasholli, bëri të ditur se ligji parashikon gjithashtu dhe disa ndryshime në marrjen e licencës, lejet dhe autorizimet e lëshuara nga MSH-ja për ushtrimin e aktivitetit privat të mjekëve stomatologë, të ndihmësmjekëve stomatologë, të laborantëve dentarë të poliklinikave dentare, si dhe tregtimin e materialeve dhe aparaturave dentare. Ndërkohë, riformatimi i disa neneve në ligj reflekton propozimet e bëra si nga grupi i punës, ashtu dhe grupi i licencimit, të cilët parashikojnë fillimin e aktivitetit privat pas marrjes së aktit të miratimit (licencimit). Gjithashtu, janë miratuar dhe kriteret dhe rregulloret teknike nga MSH-ja. Sipas znj. Pasholli, shërbimi stomatologjik në vendin tonë në kushtet aktuale është 80 për qind privat dhe vetëm 20 për qind shtetëror. Në këto kushte, lindi nevoja e ndryshimit të ligjit ekzistues dhe përshtatja e tij me kushtet e kohës. Sipas saj, ndryshimet në ligj kanë të bëjnë me kushtet, në të cilat ushtrohet ky profesion nga mjekët privatë, si dhe hapja e shumë fakulteteve private të kësaj dege në vendin tonë. Për të bërë rregullimin dhe funksionimin sa më të mirë të këtij shërbimi, lindi nevoja dhe e ngritjes së Urdhrit të Stomatologut, i cili përfaqëson interesat e përbashkëta të profesionistëve në shërbimin stomatologjik dhe rregullon marrëdhëniet midis atij dhe publikut. Duke qenë se MSH-ja është organi më i lartë që përcakton strategjinë e zhvillimit të shërbimit shëndetësor, rregullimi me këtë ligj bën që ky shërbim t'i ofrohet popullatës në standarde dhe nivele bashkëkohore, sqaroi znj. Pasholli.