Bashkia inauguron shkollën BajramCurri
Tiranë- Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”, kanë tani më tepër hapësirë dhe kushe komode për zhvillimin e mësimit. Përurimi i rikonstruksionit dhe shtesë së re, me një vlerë prej 708.750 euro u bë nga kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Nëpërmjet këtij rikonstruksioni, shkolla “Bajram Curri” ka marrë një pamje dhe një funksion të ri. Korpusi shtesë, i cili i është bashkëngjitur ndërtesës ekzistuese të shkollës, në pjesën veriore lidhet me anë të një korridori, duke realizuar në qendër një holl tjetër veç atij ekzistues i cili pulson si një pjesë dytësore dhe po aq e rëndësishme e shkollës.
Rama ka ironizuar kreun e qeverisë gjatë fjalës së tij në përurimin e këtij investimi. “Duke qenë se kryeministri ngeli rrugëve dhe nuk po inaguron dot asgjë, sepse asnjë punë nuk ka mbaruar dot, unë e ftoj që të vijë dhe të marrë pjesë në inagurimin e shkollës tjetër, pas këtij inagurimi, që i jep Tiranës një tjetër shkollë dhe i jep prindërve të Tiranës dhe prindërve të të gjithë Shqipërisë garancinë për standartin e shkollave që përmban vizioni ynë i ri për Shqipërinë evropiane”- tha ai.
Sipas Ramës, ky vizion nis që nga edukimi evropian i fëmijëve tanë, nga shoqëria evropiane mes fëmijëve të Shqipërisë, qofshin autoktonë apo të ardhur, qofshin nga veriu apo nga jugu, sepse kjo është shoqëria e re shqiptare.
Numri i nxënësve që frekuentojnë këtë shkollë aktualisht është 920, numri i mësuesve dhe drejtuesve është 41, ndërkohë që klasa mësimore janë 32.Kati i parë ka një sipërfaqe prej 407 m² shtesë, ku mjedise të reja janë: dhomat e zhveshjes pranë palestrës si dhe një bllok hapësirash sanitare; palestra me sip 230 m² si dhe një klasë e madhe e cila shërben si sallë polifunksionale me sip 120 m².
Kati i dytë ka sipërfaqe 920 m². Ky kat ka katër klasa standard si dhe tre laboratorë, një sallë kompjuterash, bibliotekë 87 m², si dhe zyrat e organizuara të administratës.
Kati i tretë ka një sipërfaqe 765 m², me 6 klasa shtesë si dhe një laborator të ri.
Në hapësirat e jashme parashikohet plotësimi i mjediseve sportive me një fushë tjetër në natyrë, me dimensionet e fushës së mbyllur ekzistuese.