Bashkia injoron ligjin, vetë vendos e vetë vulos
Kryebashkiaku Rama, është treguar indiferent karshi institucioneve, që e kanë ftuar atë për të zgjidhur sa më shpejt situatën për të pastrehët. Sipas disa dokumenteve, është bërë e ditur se ish-drejtori i Entit Kombëtar të Banesave (EKB), Muhamet Gaba, me një shkresë të dërguar më datën 20.09.2004, nr. 1666, i ka kërkuar kryebashkiakut Rama, vënien në dispozicion të shesheve të ndërtimit për banesa për të pastrehët.
Situata vazhdon të jetë e njëjtë edhe në vitet në vazhdim, ku më pas drejtori i EKB-së, Arben Qirjako, i ka dërguar kërkesa çdo muaj Bashkisë së Tiranës për miratimin e shesheve të ndërtimit, por kryetari i Bashkisë nuk ka denjuar të kthejë përgjigje. Ndërkohë, që po t'i referohemi legjislacionit, çdo bashki është e detyruar që të verë në dispozicion të Entit Kombëtar, troje të lira. Bashkia e Tiranës, vazhdon të këmbëngulë në moszbatimin e saj, ashtu siç ka vepruar për këto vjet, nga ku rezulton se nuk është miratuar asnjë shesh ndërtimi. Fillimisht, kreu i Entit Kombëtar të Banesave, Arben Qirjako, në një shkresë të datës 11.10.2006 me nr.1687, i kërkon Bashkisë së Tiranës, të verë në dispozicion troje të lira për ndërtimin e apartamenteve për të pastrehët. Sërish heshtje nga kryebashkiaku. Kështu, EKB i ka dërguar Ramës kërkesën tjetër më datë 21.11.2006, nr.1899. Kërkesa është ripërsëritur vazhdimisht, por deri më sot, asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje nga Rama, ndërkohë që qindra qytetarë vazhdojnë të qëndrojnë në mes të rrugës pa një çati mbi kokë duke i shtrirë dorën kryebashkiakut të pamëshirshëm që u vu në atë karrige vetëm me anë të votës të këtyre të pastrehëve që i lë në rrugë.