E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Rama konfirmoi vetëlargimin nga e majta

Lideri historik i socialistëve i bashkohet të majtës, mungon PS
Lideri historik i socialistëve, Fatos Nano i bashkohet të majtës për fitoren e zgjedhjeve parlamentare 2009 dhe largimin e kryeministrit Sali Berisha. Ai i është përgjigjur pozitivisht ftesës së bërë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta për të qenë pjesë e tryezës së të majtës së bashkuar, ndërkohë që kreu aktual i PS-ë, Edi Rama e ka mohuar një ftesë të tillë, duke rrezikuar që tia dhurojë këto zgjedhje Berishës. Këtë veprim politik, të ndjekur nga Rama për mosbashkimin në këtë të majtë, ish kreu i socialistëve Fatos Nano e ka konsideruar një veprim foshnjarak, sipas së cilit Rama konfirmoi vetëlargimin e tij nga e majta. Kjo iniciativë nuk drejtohet kundër askujt, por është në dobi të të gjithëve.Kemi pas thënë dikur se nuk kemi çi bëjmë fenomenit të vet largimit. Unë besoj se nëse je politikan i përgjegjshëm, nuk mund ti përgjigjesh iniciativave të tilla në mënyrë foshnjarake, nuk mund të neglizhohet një përpjekje që është në ADN-në e së majtës, në një kohë kur edhe moda politike e kohës të çon në referenca Obama-Hillari Klinton, por megjithatë Obama dhe Hillari Klinton punojnë së bashku, ndërsa mungesat në këtë tryezë mesa duket lidhen me një histori të qartë dhe të strukturuar që mban të përçarë të majtën, nënvizoi ai. Të qenurit sërish pranë njëri-tjetrit në traditën më të mirë të socialistëve dhe të së majtës progresiste gjatë gjithë epokës të pluralizmit, sipas Nanos është vlerësuar i rëndësishëm. Ndër të tjera lideri historik i socialistëve, nënvizoi se periudha e bashkëjetesës që ka karakterizuar edhe kontributet e tyre në pluralizëm, sjell mesazhin e nevojës së pranimit të ndryshmit dhe të bashkërendimit të kontributeve për një qëllim të përbashkët, që del mbi çdo interes tjetër, rrjedhimisht nga një gabim i vogël. Propozimin për këtë pjesëmarrje Nano e ka pritur mjaft mirë, duke vlerësuar jo vetëm ndërmarrjen e kësaj iniciative, por edhe vazhdimin e të qenurit të vendosur dhe të hapur për të punuar për një front opozitar të së majtës progresiste të bashkuar ndaj regjimit të vjetër të Berishës. Siç kam bërë të ditur paraprakisht kam mirëpritur ftesën për këtë takim, prandaj jam këtu. Interesi për të larguar regjimin aktual, përmes votës së lirë me 28 Qershor, i cili u rikthye në drejtimin e vendit aksidentalisht për shkak të përçarjes 4 vjet më parë, shtoi ai. Sipas tij, angazhimi  në krye të PS-së, ka qenë dhe mbetet konkurruese, për shkak të kontributeve të ndryshme, si dhe në përgjigje të vullnetit që edhe sot është mesazhi më i fortë që vjen nga elektorati, të zgjedhësve për ta parë të majtën gjithmonë të bashkuar dhe në progres. Për shkaqe që lidhen në mënyrë organike dhe të njohura me gjithë karrierën time politike, angazhimi im në vite në spektrin e majtë dhe në krye të PS ka qenë dhe mbetet bashkërendimi i kontributeve, bashkimi i së majtës, reformimi dhe mbetja e saj, vlerësoi lideri historik i të majtës shqiptare. Po ashtu, Nano në mënyrë të veçantë ka deklaruar se nuk i ka ndërprerë takimet me socialistët. Në këtë kontekst, ai ka sqaruar se mesazhi shqetësues që vjen nga të katër anët e territorit të Shqipërisë, është pikërisht mbështetja dhe çuarja përpara e kësaj lloj fryme dhe bashkëpunimi midis liderëve të së majtës. Unë jam këtu edhe në emër të socialistëve dhe shpresoj se liderët e radhës do kuptojnë përpara dhe pas 28 Qershorit, nuk mund të ndërtohet një karrierë me përçarje, nuk mund të ndërtohet asnjë e mirë e vendit në gjendjen e foshnjërisë të sotme politike, vijoi Nano. Pjesëmarrjen e tij në këtë tryezë të së majtës së bashkuar, ai e ka lidhur me faktin se pjesa dërrmuese e socialisteve me të cilët vazhdon të ndajë aktivitete politike, kërkojnë bashkëpunimin përballë interesit më të madh që ekziston si sfidë për të ardhmen, jo thjeshtë të së majtës, por të Shqipërisë evropiane, largimit të regjimit të Berishës. Lideri historik i socialistëve, Nano nënvizoi se nuk ndodhej në atë tryezë në favor apo në dëm të liderëve, por ndodhej për të sjellë edhe tek liderët e sotëm të së majtës, edhe në vëmendjen e opinionit publik, nevojën e pranimit të njëri-tjetrit në emër të interesit më të madh që bashkon njerëzit. Ky është mesazhi im i progresit, apo kjo është mënyra më e mirë e bashkërendimit të energjive për të çuar Shqipërinë përpara, vlerësoi Nano.
Last Updated on Tuesday, 23 June 2009 18:28

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›