E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama&Ruçi&Gjinushi-Sdo tja dalim- dhe përgjegjësia për humbjen e ardhshme

Nga Pirro PRIFTI
Këmbanat e alarmit kanë mbërritur në veshët e elektoratit të majtë se diçka mund të ndodhë në 28 qershor, dhe pikërisht humbja e paralajmëruar e koalicionit të përçarë duke i u kujtuar se slogani  99-shave Do tja dalim- do të jetë në të kundërt, për arsyen e thjeshtë që Programet shterpë 1000 faqesh janë realizuar nga militantë të së majtës dhe nga interesaxhinj por jo nga profesionistë e njerëz me eksperiencë që ka plot e majta. Për pasojë edhe sloganet plot luftë klasash si: të heqim qafe Berishën do tja dalim, në burg fajtorët e Gërdecit, Rruga Durrës-Kukës-korrupsion patriotik etj gomarllëqe që të kujtojnë sloganet e PPSH së dikurshme si: në burg sabotatorët, vdekje tradhtarëve të Partisë etj, etj, - nuk kanë asnjë shpresë për elektoratin e majtë, sikurse nuk është bërë asnjë premtim konkret për këtë elektorat të varfër që për fat të keq vazhdon të gëlltisë e të gënjehet lehtë nga udhëheqësit e pasur e arrogantë të PS&PSD&G99 e të ndonjë tjetri, të cilët sikurse e kanë patur zakon dhe udhëheqësit shpirtërorë të diktaturës vazhdojnë të mbajnë rreth vetes servilë, militantë e njerëz pa identitet e duke lënë mënjanë shtresën intelektuale qoftë me dhunë qoftë duke e përbuzur atë shtresë e cila është bartësja e vërtetë e përparimit, e integrimit, dhe e realizimit të programeve serioze e konkrete për partinë e për koalicionet që synojnë të marrin pushtetin me rotacion demokratik. Duke kujtuar edhe një herë përçarësit e kësaj të majtë të cilët u futën nga zemërgjerësia dhe nga toleranca e progresistëve të vërtetë të cilët u sfumuan menjëherë pas dorëheqjes plot kulturë e jo përherë të parë të F. Nanos i cili e ndjeu përgjegjësinë e humbjes. E kundërta ndodhi me parazitët, ish ministrat e PPSH, dhe nga servilët, militantët, intrigantët të çdo lloji që kanë ata përreth, të cilët kujtuan se u deti kos. Këta njerëz, në vend që të mendonin dhe të mendojnë që misioni kryesor i kësaj të majte pas 2005 është Bashkimi i së majtës, që misioni i së majtës është realizimi i programeve më të mira e më cilësore se i koalicionit të djathtë, se misioni i së majtës është integrimi ne BE, - të dy ish- ministrat e Partisë së Punës identifikuan menjëherë personin që do të vinin në krye të PS, personin karakteropat dhe pa asnjë të kaluar të majtë, në vend të kandidatit kryesor, erudite, e të ekuilibruar ish-Presidentin e vendit z. R. Mejdani. Duhet tju kujtohet lexues të dashur sesi plot arrogancë e plot mllef e nxitim (por edhe plot frike se mos Mejdani bëhej Kryetar i Partisë më të madhe opozitare), ish- ministri i atëhershëm i punëve të brendshme të PPSH dhe sekretari i përgjithshëm i PS, priti me këmbët e para dhe me urrejtje që i shihej në sy- ish-presidentin. Rezultati doli ashtu si mund të ishte dikur në kohën e PPSH ( në kohën e tij të artë, por të errët për popullin): z. Mejdani humbi kurse z. Rama fitoi. Me këtë mënyrë elektorati i majtë humbi shansin që të bashkohej dhe të  bënte rotacionin pas katër vjetësh -pra sot- për të marrë pushtetin. Duhet tjua kujtoj lexues të dashur që, nëse z. Nano dha dorëheqjen plot kulturë sepse e ndjeu humbjen, dy personat më me influencë të së majtës, dy ish-Ministrat e PPSH, dy individët të cilët vazhdojnë të jenë deputetë e kërkojnë të bëhen përsëri pa pikë turpi, nuk e dhanë dorëheqjen pas 3 korrikut të 2005, megjithëse ishin po aq fajtorë sa dhe Nano për humbjen e zgjedhjeve të asaj kohe si dhe për ndarjen e së majtës! Përse mendoni ju që ata nuk e dhanë dorëheqjen njëri sepse ishte sekretar i përgjithshëm dhe është akoma dhe tjetri drejtues në partinë e vogël PSD? Arsyet janë të ndryshme por kryesorja nuk është se  ata u merakosën që u nda dhe u përça e majta! Mos kujtoni se atyre u vjen keq që tranzicioni në Shqipëri vazhdon ende! Mos kujtoni se atyre u vjen keq që larguan militantët e vërtetë të së majtës nga drejtimi i Partisë! Mos kujtoni se atyre u bëhet vonë se kanë ngelur pa punë dhe kanë emigruar 1.4 milionë njerëz, (përgjegjës për të cilën janë dhe ata)! Mos kujtoni se u merakosën që programet nuk janë cilësore qofshin dhe ato me 1000 faqe! Mos kujtoni se iu bë vonë se Shqipëria u dogj në 1991-1992, 1997, 1998, dhe pasuria shtetërore u keqpërdor! Mos kujtoni se mbajnë përgjegjësi për mos-realizimet në vitet që ata ishin në pushtet? As e rruajnë fare, as për mos-realizimet gjatë qeverisjes së tyre, për zgjatjen e qëllimshme të tranzicionit, as për prishjen dhe humbjen e rëndësisë së Eurosocialistëve menjëherë pas marrjes së pushtetit partiak  nga bashkiaku Rama, as për lënien pa drita, e pa ujë, e pa rrugë gjatë qeverisjes së tyre, as për rritjen e taksave vendore, as për dogmatizmin e sëmurë, arrogancën; Këta njerëz që sot pas 20 vitesh të demokracisë post-komuniste nuk duhet të ishin fare në politikë, në ekzekutiv, në drejtim të pushteteve të para, të dyta e të treta, këta njerëz vazhdojnë të rrinë në krye dhe të na kujtojnë në çdo shfaqje të tyre mediatike, në gazeta, në mitingje vazhdimisht - të kaluarën tonë të hidhur, varfërinë tonë, mundimet tona, rrogat tona të vogla, izolimin tonë, përbuzjen dhe arrogancën e tyre. Turp, miq të majtë, dhe popull i vuajtur. Këta njerëz indirekt dhe direkt po vonojnë transformimet e Shqipërisë më praninë e tyre në drejtimin e të majtës, me praninë e tyre në pushtet kur e merr e majta, me praninë e tyre në debatet televizive, ku të kujtojnë punëtorin politik të Partisë së punës, të kujtojnë luftën e klasave kur ngatërrojnë me qëllim oponencën me armikun e popullit, problemet ligjore me politikën, informimin real me dezinformimin e rafinuar, mirënjohjen që elektorati i majtë u dha  që të qëndronin në krye të Partive të majta me turpin që duhet ti kishte zënë për përgjegjësinë që patën në kohën kur ishin drejtues të PPSH. Atëherë lexues të nderuar, as mos kini ndonjë iluzion se këta njerëz do të bashkojnë të majtën, se këta njerëz do të çojnë Shqipërinë përpara, se këta njerëz do të mund ta mundin Berishën  (a nuk e kishin në dorë në 97?), dhe as të mos u shkojë ndërmend se parti të tilla të reja si G-99 që përdorin para pa fund  për të dalë në media do të mund të bëjnë për vete elektoratin e majtë sepse skanë asgjë konkrete për tju dhënë përveçse e duan pushtetin vetëm për tu pasuruar, dhe së fundmi as të mos u shkojë ndërmend që parti të vogla si PSD të lozë ndershmërisht në fitimin e votave. Ju gënjejnë o elektorat i majtë. Ata do të humbasin sepse janë humbës dhe përgjegjës për çarjen e së majtës dhe siç e ka thënë shkrimtari I. Kadare (që ka perifrazuar thënien nga Testamenti i Ri): kur gjysma ha gjysmën, e tëra sështë më... Atëherë, si do të fitojnë zgjedhjet këta paçavure kur votat do tia hanë njëri tjetrit? Mendohuni, reflektoni, dhe mos u jipni votën ish-ministrave të PPSH. Më mirë një humbje dinjitoze që do të vlejë për të bashkuar të majtën në të ardhmen, sesa një fitore  që do të shërbejë vetëm për të pasuruar dhe për të larë borxhet e këtyre fosileve të së kaluarës, së bashku me  krimbat e rinj të G-99 të cilën po mufaten nga duhma e bijve të nëno Gërbës të PPSH. (Nëno Gërba është personazh negativ dhe i shëmtuar i librit për fëmijë Pupagjeli dhe shokët e tij).
*Analist
Last Updated on Tuesday, 23 June 2009 17:22

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›