Bashkia merr certifikata borxh nga komunat e afërta
Gjendja Civile në Korçë ka mbetur keq për certifikata. Institucioni ka hyrë në borxh te njësitë e tjera vendore, komuna dhe njësi bashkiake, pasi që prej dhjetë ditësh në gjendjen civile mungon ky dokument. Në bashki thonë se janë në pritje të furnizimit nga Ministria e Brendshme, e cila është njoftuar për këtë çështje. Ndërkohë që prej disa javësh në zyrat e gjendjes civile veprimet kanë qenë të pakta, pavarësisht kërkesave të larta të qytetarëve. Situata bëhet më kritike për ata persona që duan të aplikojnë për kartat e reja të identitetit, që nëse nuk kanë pasaportë duhet të paraqiten patjetër me këtë dokument për të nisur procedurat e aplikimit. Nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Arjan Bejko, sqaron se gjatë kësaj kohe është kërkuar ndihmë nga njësi të tjera të qeverisjes vendore deri në furnizimin nga ana e ministrisë. "Gjendja civile është një funksion i deleguar dhe certifikatat duhet të vijnë nga Ministria e Brendshme. Deri më tani ato pak veprime janë kryer me certifikata që i kemi marrë nga njësitë e tjera, por që nuk përballojnë dot punën e përditshme dhe kërkesat. Pranë Bashkisë së Korçës çdo ditë lëshohen mesatarisht 400 certifikata, por ka ditë që numri i kërkesave shkon deri në 700. Në këto kushte, pajisja ka qenë e kufizuar deri në mbërritjen e furnizimit", thotë Bejko. Ndërkohë, certifikatat e marra hua, që po lëshohen, mbajnë kodin e njësisë përkatëse, i ndryshëm nga i qytetit të Korçës. Në këtë situatë nga ana e bashkisë është kërkuar dërgesa e menjëhershme e certifikatave të reja.