E Diel, 1 Nëntor 2026

"Batica" zbret në Durrës, në pranga 4 zyrtarë të Bashkisë

Operacioni "Batica" zbret në Durrës, duke çuar në pranga dy zyrtarë të lartë të administratës bashkiake, punonjës të tjerë dhe një sekser. Shefi i policisë bashkiake, një punonjës i kësaj policie, kryetari i njërës prej njësive administrative të bashkisë dhe inspektori i saj akuzohen për korrupsion pasiv. Ata dhe sekseri kanë përfunduar në pranga gjatë operacionit të koduar "Batica", ndërkohë që ka qenë Task Force Tirana që ka zbarkuar në Durrës për të realizuar operacionin në bashkëpunim me agjentët e antikrimit financiar të Drejtorisë së Policisë së Durrësit. "Nëse do që të mos prishet shtëpia a veprimtaria jote tregtare, paguaj!". Kjo ka qenë filozofia e punës së katërshes së arrestuar, të cilët kanë pasur ndihmën e njëri-tjetrit dhe sekserit të tyre në terren. Rasti është vlerësuar plotësisht dhe pjesë e veprimeve qenë edhe shërbimet e sektorit të operacioneve speciale. Të ndaluarit janë shefi i policisë bashkiake Durrës, Rexhep Bulku, 50 vjeç nga Durrësi, polici bashkiak Bashkim Maloku, 37 vjeç nga Sukthi, Luan Shaba, 38 vjeç me detyrë administrator i njësisë administrative nr. 4 në Durrës, Lutfi Sh. Dervishi, 49 vjeç, inspektor i zonës së Spitallës, si dhe Fetah Mataj, 27 vjeç nga Tepelena me banim në Spitallë të Durrësit. Ndalimi është përmbyllja e një hetimi disamujor, gjatë të cilit janë përdorur dhe teknika speciale, përfshi këtu përgjimet e të ndaluarve. Të pestë u ndaluan dje në mesditë, rreth një orë pas shoqërimit të tyre në ambientet e Policisë së Durrësit, ndërsa Bashkia e Durrësit ka deklaruar se nuk do të prononcohet deri në njohjen e plotë të akuzave për të cilat janë ndaluar punonjësit e saj. Ka qenë Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit që ka ndërmarrë aksionin që ka çuar për herë të dytë brenda më pak se një viti Bulkun dhe Malokun në qelitë e paraburgimit. E nëse qershorin e kaluar, çështja u mbyll shpejt dhe rifituan lirinë e vazhduan normalisht detyrat e tyre të mëparshme, burime nga prokuroria bëjnë të ditur se këtë herë akuza është serioze dhe të ndaluarit do të përballen me të dhe ligjin, pasi kanë kryer veprime që bien ndesh me ligjin dhe rregulloren gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre për zbatimin e urdhrave dhe vendimeve për moslejimin e ndërtimeve pa leje, prishjen e ndërtimeve pa leje, mbylljen e aktiviteteve pa licencë. Të pestë u kërkonin qytetarëve para në këmbim të ndereve e favoreve për të mos ekzekutuar vendimet për prishje objektesh të paligjshme, apo mosmbylljen e aktiviteteve pa licencë, në kundërshtim me ligjet. Shtetas të ndryshëm kanë dhënë deklarimet e tyre në lidhje me këtë fenomen, si dhe kanë denoncuar Fetah Matajn që kryente rolin e sekserit ndërmjet punonjësve të policisë bashkiake dhe qytetarëve. Mataj, me arsim të lartë, ka qenë i dënuar më parë për vepra penale kundër personit. Burime policore bënë të ditur se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta shtetas kanë konsumuar veprën penale të "korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike", parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, si dhe "ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", parashikuar nga neni 245/1-2. Pas një hetimi disamujor, duke përdorur teknika speciale të hetimit, të ndaluarve u janë vërtetuar veprime që bien në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren gjatë ushtrimit të detyrës. Në zyrat dhe banesat e tyre janë ushtruar kontrolle të imtësishme dhe bëhet e ditur se gjatë kontrolleve u sekuestruan dokumente që vërtetojnë veprimtarinë korruptive. Materialet e gjetura iu bashkëngjitën dosjes hetimore, që i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për hetime të mëtejshme.

Të ndaluarit

Rexhep Bulku

Shef i policisë bashkiake, 50 vjeç, nga Durrësi

Luan Shaba

38 vjeç, kryetar i njësisë administrative nr. 4

Lutfi Dervishi

49 vjeç, inspektor në njësinë administrative nr. 4

Bashkim Maloku

37 vjeç, nga Katund Sukthi, polic bashkiak

Fetah Mataj

27 vjeç, në rolin e sekserit

Historia

Edhe vartësi Maloku e ka për herë të dytë

Arrestimi i parë i kryepolicit

bashkiak, në vitin 2008

Në qershor të vitit të kaluar, shefi i policisë bashkiake të Durrësit, Rexhep Bulku, u prangos së bashku me tre vartës të tij, përfshirë dhe Bashkim Malokun. Akuza e ngritur ndaj tyre ishte ajo e kryerjes së veprimeve arbitrare gjatë ushtrimit të detyrës. Ngjarja që cenoi imazhin e punonjësit dhe drejtuesit publik çoi në pranga ish-shefin e policisë së rendit në Durrës, Rexhep Bulkun, me detyrë aktuale shef i policisë bashkiake të qytetit bregdetar. Bulku dhe tre efektivat e policisë që ai drejton u arrestuan pas një ngjarjeje të shëmtuar që pati jehonë në qytet. Keqtrajtimi i një pronari dhe drejtuesi autobusi ishte shkaku i arrestimeve të bëra, ndërsa dy ditë më pas, gjatë seancës gjyqësore për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë, ata u lanë të lirë kundrejt garancisë pasurore dhe detyrimit të paraqitjes në gjykatë deri në përfundim të hetimeve dhe gjykimit të çështjes penale të nisur ndaj tyre. Drejtuesi dhe punonjësit e policisë bashkiake të Durrësit kishin ngritur një postbllok në të vetmen rrugë hyrëse dhe dalëse të Durrësit, në segmentin stacioni i trenit - Ura e Dajlanit për të kontrolluar pajisjen e mjeteve që operojnë në linjat e transportit publik me leje për ushtrim aktiviteti. Gjatë kohës kur kryenin këtë shërbim në drejtim të kontrollit të automjeteve për licenca, Bulku dhe grupi i policëve kanë ndaluar mjetin autobus me pronar shtetasin Fatmir Zakova, i cili nuk ka pasur me vete dokumentacionin e kërkuar të mjetit. Kundërshtimi për shoqërim në polici në mungesë të dokumentacionit është kthyer në dhunë fizike, ku më i forti e mund të dobëtin. Drejtuesi i automjetit është goditur me sende të forta dhe grushte në fytyrë e në trup, duke përfunduar në spital, ndërsa dhunuesit në pranga.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›