E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zona industriale mbetet pa energji elektrike

Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike mbetet shqetësim i përditshëm për bizneset që ushtrojnë aktivitet në zonën industriale të Vrionit në Sarandë. Një defekt i ndodhur në hidrocentralin e Bistricës, ka bërë që gjithë kjo zonë të vuajë mungesën e energjisë elektrike. Ndërkohë, pronarët e bizneseve, që zhvillojnë aktivitet në këtë zonë ankohen se shkëputja e herëpashershme e energjisë, dëmton prodhimin dhe u shkakton dëme të mëdha financiare. Ata thonë se detyrohen të përdorin gjeneratorë, por kjo nuk u zgjidh shumë punë, pasi fuqia e instaluar shpesh nuk përballohet prej gjeneratorëve. Kështu që puna ndërpritet pothuaj në mënyrë të përditshme dhe përditë dëmtohen bizneset private, që janë edhe taksapagues të fuqishëm. Në shumicën e rasteve përgjegjëse për këto ndërprerje, sipas biznesmenëve, është operatori i OSSH-së, ndërsa ditën e enjte shkak për ndërprerjen disaorëshe të energjisë në bizneset e kësaj zone, është bërë një avari në hidrocentralin e Bistricës. Drejtori i hidrocentralit, Edmond Laze, sqaron se zona industriale e Vrionit administrohet nga OSSH si linjë elektrike. Ndërkohë që Hidrocentrali, sipas tij, administron vetëm çelësat 6 kilovolt, që janë vendosur brenda territorit të tij. Ndërprerjen e djeshme drejtori Laze e lidh me një shkarkesë të madhe elektrike që ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës. Moti i keq, ka dëmtuar dy mbështjella primare të transformatorëve të tensionit në nënstacionin e ri të Bistricës. Ndërkohë, ai sqaron se është bashkëpunuar me qendrën dispeçere të Tiranës dhe me Drejtorinë e Tensionit të Lartë në Sarandë, për të realizuar një lidhje të përkohshme, derisa dy transformatorët e dëmtuar të vijnë nga kompania kontraktore "SIEMENS".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›