E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekreton 10 gjyqtarë të rinj

Dje, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi emërimet më të fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për 10 gjyqtarë. Ndër gjyqtarët që morën emërimin, dy janë nga Korça, dy nga Fieri, po aq nga Kavaja, një në Shkodër, një në Krujë, si dhe një tjetër në Gjirokastër e Lushnjë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë pak kohë më parë kishte përcaktuar vendet vakante në disa gjykata të shkallës së parë në gjithë vendin. Në mbledhjen e radhës, KLD-ja, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, pasi diskutoi propozimin e ri të ministrit të Drejtësisë, vendosi të përcaktojë 11 vende vakante pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, të cilat do të viheshin në dispozicion të dhjetë magjistratëve kandidatë për gjyqtarë. "Vendimmarrja u arrit pas një procesi të gjatë diskutimesh nga të gjithë anëtarët e këshillit, fokusuar mbi situatën aktuale ligjore dhe nevojat konkrete për emërimin e gjyqtarëve nga shkolla e Magjistraturës pranë gjykatave të shkallës së parë", u tha atëherë zyrtarisht. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, diskutoi edhe rëndësinë e projektvendimit të Këshillit të Ministrave ‘Për mbrojtjen e veçantë personale, familjare dhe pasurore të gjyqtarëve dhe sigurimit të jetës". Një nga pikat e rendit ishte edhe shpallja publikisht e një vendi vakant pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, caktimi i anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Altina Xhoxhaj, në përbërje të Komisionit të Qendrës së Publikimeve Zyrtare.
Lista e të emëruarve:
Ervin Trashi, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Irida Kacerja emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër
Matilda Shalla emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier
Gentian Hamiti emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier
Vojsava Osmanaj emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë.
Alma Hoxha emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë
Esmeralda Ceka emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë
Sonjela Voskopi emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë.
Enerjeta Deraj emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë
Rezarta Mataj emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›