Bashkia ndalon makinat te “Pazari i ri”, tregtarët në protestë
Tregtarët te Pazari i Ri në Tiranë bllokuan dje në shenjë proteste aktivitetin e tyre. Arsyeja është urdhri i Bashkisë së Tiranës, sipas së cilit në këtë treg nuk do të lejohet asnjë makinë, qoftë edhe për furnizimet që duhet të bëjnë tregtarët. Jo pak të irrituar, tregtarët kanë kundërshtuar këtë urdhër duke deklaruar se i paguajnë bashkisë çdo detyrim. “Ka tre ditë që tregu është i bllokuar nga policia, se për çfarë është bllokuar ne nuk e dimë. S’ka tregti, tregtarët rrinë nëpër dyert e dyqaneve”, thotë njëri prej tyre. Ai e cilëson krejtësisht të pakuptimtë vendimin në fjalë, duke pranuar se po u cenon punën me të cilën mbajnë familjen. “Bashkia i do taksat, tregun e mbylli, tre klientë që do vijnë do ikin me vrap. Ai që do vijë me makinë duhet ta lërë makinën 5 km larg për të bërë pazar ketu”, thotë një tjetër tregtar. Tek tregu i “Pazarit të ri” janë rreth 150 tregtarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre. Ndërkohë tregtarët paralajmërojnë se në rast se nuk do të marrin një përgjigje, protestat do të thellohen më tej. Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës nuk ka dhënë ndonjë sqarim apo reagim për arsyet e urdhrit të ri që ka nxjerrë.