S’i japin vajzën për grua, pret hardhitë e ortodoksëve të fshatit
PERMET – “O do të bëhesh e imja ose ty nuk të fal përjetë”. Ka qenë ky kërcënimi gojor i një të riu përmetar karshi një vajze fshati, e cila ka refuzuar në mënyrë permanente të ishte pjesë e jetës së të riut. Ky i fundit nga inati ka “masakruar” gjithë drurët frutorë të fshatit te familjet e krishtera. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bodar të Përmetit kur Ardian Metko, 33 vjeç ka prerë rreth 530 rrënjë hardhie, disa rrënjë ulliri si dhe ka grabitur tubon e vaditjes së tokave të fshatit pronë e Ndërmarrjes së Ujërave. Ky akt ka ardhur në momentet kur i riu kishte humbur çdo lloj shprese për të bërë të tijën një vajzë me emrin M.S., nga i njëjti fshat. Megjithëse kishte shkuar tek prindërit e saj për të kërkuar dorën, atij iu refuzua të ishte bashkëshorti i ardhshëm i vajzës së tyre për të vetmen arsye se nuk është i fesë së tyre. Nga burime të policisë pohohet se djaloshi me besim mysliman njihet në fshat edhe si person me probleme psikike. Gjithçka ka ndodhur në orët e pasdites së të mërkurës kur Metko kishte “mbaruar” punë me të gjitha hardhitë e fshatit, duke i lënë familjet pa prodhime vreshtarie. I pari që ka konstatuar shkatërrimin e drurëve frutor ka qenë një i moshuar, i cili ka lajmëruar burrat e fshatit që ishin mbledhur në qendër për atë që kishte ndodhur. Nga ana e tyre burrat që kuvendonin në qendër të fshatit nuk e besuan alarmin e dhënë nga i moshuari, pasi nuk mund të besohej një lajm i tillë i pabesueshëm në ditën e gënjeshtrave. Mirëpo kur kanë parë nga afër atë çfarë kishte ndodhur, lajmëruan menjëherë policinë e Përmetit për të identifikuar dhe kapur autorin e kësaj “kasaphane” tek drufrutorët. Specialistët dhe agjentët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, pasi kanë mbërritur arrestuan Metkon në flagrancë. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 copë tubo 30-polëshe një metër të gjata secila, dy gërshërë për krasitje hardhish, dy sëpata, një çekiç i rëndë(vare) një levë qysqi etj. Të gjitha këto materiale i riu i ka përdorur për të prerë të gjitha rrënjët drufrutore. p.n