Ministria e Shëndetësisë harron listën e re të rimbursimit
zirina llambro
Ministria e Shëndetësisë harron listën e rimbursimit të ilaçeve. Jo vetëm që nuk ka bërë publik asnjë detaj nga mbledhjet e komisionit të miratimit, e ndryshimet e pritshme siç është bërë vitet e shkuara, por tashmë që ky proces është mbyllur ka harruar ta çojë projektvendimin përkatës në qeveri për miratim. Sakaq burime nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, por edhe nga ministria, pohuan se lista e barnave është e përfunduar dhe pritet vetëm vetoja e Këshillit të Ministrave. Për këto vonesa nuk arritëm të merrnin asnjë përgjigje dje, pasi Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo nuk ndodhet prej dy ditësh në Shqipëri. “Është vetëm çështje ditësh, dërgimi në qeveri i listës së re” na siguruan burime zyrtare pranë këtij dikasteri. Ndërkaq ISKSH, pohon se fondi që do të shpenzohet për barnat këtë vit është më i lartë se ai i vitit të kaluar. “Janë shtuar ilaçe të reja e gjithashtu janë bërë ndryshime mbi bazën e prioriteteve të vendosura për kategori të ndryshme përfituesish”, theksuan burime nga ISKSH. Por siç duket, Komisioni i Hartimit duhet të jetë menduar gjatë për skemën e re, pasi vjet në këtë kohë me ndryshimet përkatëse ajo kishte hyrë në fuqi. Mendimet nga shefat e klinikave, ekspertëve të farmaceutikës, si dhe specialistëve të ISKSH e Ministrisë së Shëndetësisë kanë nisur të merren që në muajin janar. Më tej janë bërë një sërë konsultimesh deri në mbledhjet përkatëse të komisionit të rishikimit e miratimit të listës. Që prej disa ditësh, ai ka marrë vendimin përfundimtar se cilat do të janë ilaçet që do të hiqen dhe shtohen në skemë, por vendimi ka ngecur në ministri. Nga sa bëhet me dije, ndryshe nga vjet, i është dhënë prioritet një sërë sëmundjesh si atop të zemrës, të fëmijëve e gjithashtu janë futur edhe ilaçe të shtrenjta. Për 2008 vetëm për pesë alternativa ilaçesh, të futura në listën e rimbursimit, me insistim të Ministrisë së Shëndetësisë, ISKSH-ja sipas llogaritjeve duhet të harxhonte rreth 1.4 miliardë lekë. Këto para zinin 1/3 e fondit total që do të shpenzohej për 351 medikamentet e listës që ishte 4.2 miliardë lekë. Pra në këtë kontekst nuk u menduan mirë kostot dhe alternativat. Kjo gjë, nga sa saktësojë ekspertët e ilaçeve, këtë vit është korrigjuar. Sëmundjet kronike të zemrës, prostatës, hepatitet, sëmundjet mendore e hormonale kanë sipas tyre ilaçe më cilësore për pacientët.
Lista ekzistuese
Lista aktuale e barnave me rimbursim ka 351 ilaçe. Prej tyre përfitojnë një sërë kategorish, që nga fëmijët e deri te pensionistët, e të sëmurët kronikë. Në listën e rimbursimit për vitin 2008, nuk janë shtuar ilaçe të reja. Asnjë sëmundje, e cila kishte mbetur e patrajtuar nga skema e mëparshme, nuk u përfshi në listën e re. Prej saj u hoqën 11 barna, të cilat nuk ishin në qarkullim në vendin tonë, ose janë deklaruar nga vetë fabrikuesit e tyre që nuk do të prodhohen më në formën ekzistuese.