Shkodër, pranga të kërkuarit
SHKODER - Pas rreth 1 muaji që e kishte shpallur në kërkim, Policia e Shkodrës arrestoi dje 46-vjeçarin Muharrem Shkjau. Ai akuzohet nga policia se në lokalin e tij ka plagosur me armë zjarri shtetasin Kastriot Mihlli. Sipas policisë, Shkjau është prangosur në banesën e tij, në lagjen “Tepe” në periferi të qytetit të Shkodrës, sipas informacioneve të marra për vendndodhjen e tij. Shkjau, një muaj më parë në një lokal nate, në pronësi të tij, pas një konflikti për motive të dobëta në orët e vona të natës, qëlloi me pistoletë një klient. Ai e la atë të plagosur. Pas ngjarjes autori ka mundur t’i fshihet policisë për rreth 1 muaj, por ka rënë në pranga ditën e djeshme. Ndërkohë, në ngarkim të 46-vjeçarit Shkjau, Prokuroria e Shkodrës vendosi masën e arrestit me burg, për akuzën e “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. r.d