E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali Ushtarak pa grafi,pacientët shkojnë te privati

 

Nëse nuk je rast urgjent, nuk mund të kryesh kurrsesi një grafi të thjeshtë në Spitalin Ushtarak. Që prej dy muajsh pacientët detyrohen të bëjnë këtë ekzaminim në klinikat private. Shkak është bërë mungesa e filmave. Këtë mangësi e pranojnë jo vetëm të sëmurët por edhe mjekët. Sipas tyre, veç këtij ekzaminimi në farmacinë e spitalit nuk gjenden edhe shumë ilaçe të rëndësishme. Edhe për to pacientët, qofshin civilë apo ushtarakë, duhet të paguajnë para nga xhepi. Ndonëse drejtoria nuk e pranon, ushtaraku tashmë mund të quhet me plot gojën në prag të krizës së medikamenteve e pajisjeve të tjera mjekësore. Gjithçka në fakt tingëllon e çuditshme, pasi në fund të vitit të kaluar ky spital i doli krah QSUT-së, duke i dhënë një sasi të konsiderueshme ilaçesh. “Në ortopedi është tashmë një problem i vjetër mungesa e protezave për ata që kanë thyerje por edhe materialeve të tjera të nevojshme. S’kemi çfarë të bëjmë, u themi pacientëve t’i blejnë vetë”, thotë një nga infermieret. Por nuk janë këto të vetmet probleme. Sorollatjet nga njëri shërbim në tjetrin janë pjesë e punës në këtë spital. Për të hapur një kartelë e për të marrë një dhomë në Spitalin Ushtarak duhen ca orë të mira. Ata që e kanë hequr mbi kurriz e dinë mirë se përse bëhet fjalë. Gjithçka nis me urgjencën. Mjekët mes zallamahisë e zhurmës, të japin në dorë rekomandimin për te specialisti. Ndonëse mund të të bjerë të fikët, pasi nuk je aspak mirë fizikisht, duhet të presësh mesatarisht 1 orë në radhë për të bërë vizitën. Pasi kryen atë, të duhet të preshësh deri sa të hapet kartela. Më tej në pavijon duhet t’i gjesh anën kryeinfermieres që cakton dhomën. Po nuk i pëlqeve, të degdis ku t’i dojë qejfi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›