“Klodin ta djegin në mes të fshatit”
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
“Ta djegin në mes të fshatit, ashtu siç dogji ai Bujarin”. Kanë qenë këto fjalët e babait të 30-vjeçarit Klodian Prençe, autorit të ekzekutimit të Bujar Krasniqit, në Gradishtë të Lushnjës. Stavri Prençe kërkon dënimin kapital për të birin, duke e quajtur mostër. Një ditë pas arrestimit të djalit, i ati rrëfen mbi momentet e fundit të viktimës, të cilin e kishte dhe mik familjeje. Për të birin, Stavri tregon se ai ishte konfliktual, por nuk e kishte menduar kurrë se do të arrinte deri në një ekzekutim makabër, si vrasjen e djegien e Bujar Krasniqit. Prandaj, për të dhe familjarët e tjerë, nuk ka asnjë lehtësim për të birin, i cili duhet të marrë dënimin më të rëndë nga shteti.
A gjen babai i Klodianit një arsye për këtë ngjarje të rëndë?
E kam djalë, por nuk ia fal dot. Më vrau shokun tim më të mirë, njeriun më të pastër e të ndershëm të të gjithë fshatit tonë. Për më tepër, babanë e katër fëmijëve. Është një krim që nuk do t’ia falja askujt, qoftë ky edhe im bir. Vërtetë Klodi është biri im, është gjaku im, por nuk mund kurrsesi t’i lejoj një vepër që poshtëron të gjithë familjen e tij dhe mua si prind.
Si sillej Klodiani me ju? Ju kishte treguar në një farë mënyre se ishte në gjendje të bënte një akt të tillë?
Nuk sillej mirë. Shpeshherë ishte tepër i pasjellshëm dhe bënte veprime që nuk justifikoheshin. Duke parë të gjitha sjelljet e tij, prej më shumë se 1 viti mora vendim ta hiqja nga shtëpia dhe kjo vetëm për sjelljen e tij arrogante dhe krejt të pahijshme. Ai ishte shkëputur nga unë që kur ishte 18 vjeç, por para një viti e përzura nga shtëpia. Jetonte si të mundte, si endacak.
Çfarë bënte konkretisht dhe si ka vijuar jeta e tij?
Klodianin e kisha nga martesa e parë. Pas largimit të sime shoqeje nga jeta më detyruan kushtet të martohesha. Pas martesës së dytë tentova ta mbaja pranë familjes djalin tim të madh. Por ai nuk na respektonte as mua dhe as time shoqe. Disa herë ka ushtruar dhunë mbi njerkën e tij dhe ka shfaqur shpeshherë e kudo shenja dhune. Duke parë që nuk sillej mirë me ne u mundova t’i gjeja një nuse dhe e fejova në Lushnje përpara 6 muajsh, por për shkak të veprimeve jo të hijshme, kjo lidhje nuk zgjati për shumë kohë. Djali shkonte tek familjarët e të fejuarës dhe krijonte situata të pakëndshme, duke degraduar shpeshherë në sherre banale. Këto sjellje e kanë detyruar të fejuarën të heqë dorë prej tij përpara tre muajve. Por edhe pas ndarjes i sugjerova të merrte një shtëpi me qira dhe të rregullonte vetë jetën e tij, pasi unë nuk jam në gjendje të mirë ekonomike. Nuk e di se çfarë bënte e me çfarë merrej. Më tregonte se punonte në qytete të ndryshme dhe se kishte qenë edhe në Greqi, por këtë nuk e mora vesh kurrë.
Ka pasur konflikte me njeri në fshat? Po me vetë Bujarin?
Nuk di të ketë pasur konflikt me njeri dhe nuk ka pasur ndonjë përplasje me Bujarin. Sipas meje, por dhe sipas policisë ka menduar se Bujari ka pasur lekë. Mua kjo më ka shokuar. Vetëm një javë kishte që isha ulur për të pirë një teke raki me Bujarin dhe e kishim si mik të shtëpisë. Turp t’i vijë djalit tim.
Si e morët vesh për ngjarjen?
Do të çoja vjehrrën time në agjenci se do të ikte, kur më thanë se Bujarit i ishte djegur shtëpia nga një shkëndijë elektrike. Pyeta në ishin mirë njerëzit, pa shtëpi ka të tjera. Më treguan se ishte djegur dhe Bujari brenda. Kam vënë kujën. Nuk mendoja kurrë se si mund të ndodhte diçka e tillë. Atë ditë pasi përcolla vjehrrën u ktheva dhe kalova pranë pazarit të fshatit dhe aty takova edhe Klodianin. Ishte fare i qetë. Nuk të linte të dyshoje për asgjë. Ne nuk komunikonim me njëri-tjetrin për problemet e përditshme. Nuk më shkonte ndërmend që Klodiani të bënte veprime të tilla. E shumta që mendoja për të ishte ndonjë vjedhje jo më të vriste njerëz. Vetëm kur e ndaloi policia e mora vesh të vërtetën.
Në këto kushte, cili është qëndrimi juaj?
Jemi një familje e varfër, por e ndershme. Ndaj i kërkoj qeverisë dhe shtetit ekzekutimin e djalit tim. Ta varin në mes të fshatit ose ta djegin ashtu siç dogji ai Bujarin. Ai është vërtetë gjaku im, por nuk e meriton të mbetet i tillë. Duhet të ndëshkohet, madje me dënimin më të rëndë që ka ky shtet. Nëse nuk e bën shteti, atëherë të më lënë ta bëj vetë.
Xhaxhai: E strehova atë natë, s’e dija për vrasjen e Bujarit
Xhaxhai i Klodianit, Artur Prençe e ka strehuar nipin natën e vrasjes së Bujar Krasniqit, por pa e ditur se çfarë kishte ngjarë. “Ishte e diel dhe ora shkonte 03:00 e natës. Klodi erdhi pranë shtëpisë sime dhe më thirri nga dritarja. Fillimisht bëra sikur nuk e dëgjova, por ai insistoi duke trokitur dy a tri herë. Për të mos zgjuar bashkëshorten dhe fëmijët dola dhe i hapa derën, ku Klodi mu shfaq menjëherë. E pashë me dyshim dhe e pyeta se ku kishte qenë në atë orë të vonë. Më tha se kishte qenë në punë, por nuk e besova. Duke parë orën që më erdhi në shtëpi më bëri të dyshoja për diçka të keqe. Klodi ishte një njeri që mashtronte dhe këtë fakt e dinte i gjithë fshati. Hapa derën dhe e futa brenda në shtëpi, duke mos menduar shumë gjatë se çfarë mund të kishte kryer në të vërtetë. Mendja më shkoi tek ndonjë vjedhje, pasi të tilla vepra i bënte shpesh”. Arturi pohon se e ka mësuar se Klodiani e kishte kryer krimin vetëm pas arrestimit nga policia. “Së pari, unë i kërkoj ndjesë familjes Krasniqi, pasi është një ndër më të nderuarat e të respektuarat në këtë vend. Ndërsa shtetit i bëj apel që Klodin ta sjellë në mes të fshatit e ta djegin ashtu siç dogji ai Bujarin. Nëse shteti nuk e bën, do ta bëjmë vetë ne, për djalin tonë”, thotë ai. Por gjithë historia e ndodhur në Gradishtë nuk ka shqetësuar vetëm familjet Prençe e Krasniqi, por të gjithë fshatin. Vetë banorë të Gradishtës janë shprehur se veprimi i 30-vjeçarit është për t’u dënuar. “Duhet dënuar shumë rëndë. Të digjet në mes të sheshit sepse dogji babanë e katër fëmijëve. Duhet të ekzekutohet e të mos kishte mëshirë për një kriminel të tillë. Kemi dy ditë që nuk flemë të qetë pas asaj që ndodhi, sepse jemi të rrezikuar nga të tillë njerëz”.