E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia nën presion, ndryshon projektin e qendrës

02/04/2009  Projekti mori në 2007-n miratimin nga KRRTRSH. Dako: Do të rishikojmë nga e para

Shumë prej ndërtuesve ishin kundër për shkak të rregullave shumë strikte

DURRES- Plani urbanistik i qendrës së qytetit të Durrësit do të ndryshojë shumë shpejt. Ende pa mbushur një vit nga koha kur Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi projektin për qendrën e qytetit, bashkia ka vendosur ta rishikojë atë. Deklarimet janë bërë nga kryetari i bashkisë Vangjush Dako dje teksa grupe të interesit kanë nisur diskutimet për planin e ri rregullues të të gjithë qytetit. “Jemi vënë përballë presionit të subjekteve dhe bizneseve të ndryshme, të cilët kërkojnë të rishikohet projekti për qendrën e qytetit”,-ka thënë Dako. Dje në Durrës specialistë dhe drejtues të projektit LAMP të financuar nga Banka Botërore kanë organizuar takim të zgjeruar për të debatuar rreth planit rregullues të të gjithë qytetit, ndërkohë që drejtuesi i projektit të studios “Hydea e Atelier 4”, Hari Baral ka marrë një për një të gjithë diskutimet e mendimet e afruara. Pikërisht në këtë tryezë të zgjeruar me urbanistë, arkitektë, biznesmen, intelektual dhe përfaqësues të administratës së bashkisë kryetari Dako ka bërë të qartë se për qendrën e qytetit gjithçka do të nisë nga e para. Në vitin 2007 KRRTRSH e pati miratuar projektit që ka paraqitur bashkia dhe që është tenderuar në vitin 2005 duke u fituar nga një studio italiane. Sinjali i bashkisë ka ardhur i paqartë për shumë nga të pranishmit pasi studioja e Pescarës tashmë është shpallur fituese pas një konkurrimi me juri ndërkombëtare, ndërsa projekti që ka afruar kjo studio duhet të ndryshojë. Kryetari i bashkisë ka pohuar se shkak për të ndërhyrë edhe një herë në ribërjen e projektit në fjalë është penalizimi i ndërtuesve. Kriteret e forta dhe strikte që janë përcaktuar në planin e qendrës së qytetit të Durrësit kanë ngjallur prej kohësh kundërshtimin e ndërtuesve. Që nga koha kur bashkia miratoi planin e qendrës së qytetit në zonën A nuk është lejuar më asnjë ndërtim. Por zona A është më fitimprurëse, pasi bëhet fjalë për sipërfaqen më të lakmuar për jetesë dhe se apartamentet kushtojnë jo pak. Një metër 2 sipërfaqe e ndërtuar kushton jo më pak se 800 euro, kurse apartamentet variojnë nga 60 mijë euro në 80-90 mijë euro. Biznesi i ndërtimit në Durrës ka këmbëngulur që bashkia dhe këshilli i saj i rregullimit të miratojë leje për ndërtimin edhe të pallateve mbi 6,7 kate. Teksa është ndalur për lartësinë e kateve Dako ka pohuar se “do të kërkojmë që ndërtimet që do të kryhen në këtë zonë të jenë uniforme dhe me numër katesh nga 6, 8 deri 10 kate, ashtu siç po ndodh me zonën e plazhit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›