E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Rama duhet të kërkojë falje që i humbi të majtë 12 mandate për të asgjësuar LSI

Menjëherë pas deklaratës së Ramës ku sulmoi marrëveshjen e LSI me PD, ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm I Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke u shprehur se në vend që të kërkojë falje për 12 mandate që i ka humbur LSI, Rama vazhdon të përdorë si mburojë PS për interesat e tij personale. Jemi këtu për të ftuar Edi Ramën që të administrojë me qetësi humbjen e zgjedhjeve dhe ta pranojë në mënyrë qytetare atë, sepse ky ishte verdikti që dhanë shqiptaret në 28 Qershor. Sot është dita kur Edi Rama do të duhej të reflektonte dhe të kërkonte ndjesë për fajin fatal për Kodin Zgjedhor antiopozitar, që ai beri me qëllimin e vetëm për teë asgjësuar LSI dhe që i humbi opozitës se paku 12 mandate, shumica e të cilëve i përkisnin LSI si dhe për mijëra vota opozitare, të cilat vajtën dëm për shkak të formulave të liga, u shpreh Vasili. Më tej, Vasili u shpreh se opinioni publik duhet ta dije se deri dje Edi Rama i çonte emisare Ilir Metës për tu bërë Kryeministër i vendit duke blerë deputetë nga e djathta, duke mos u çliruar dot nga filozofia e trafikimit të votave dhe njerëzve, filozofi e cila ishte edhe baza e mekanizmit mafioz dhe policesk manipulativ të tij në dëm të mijëra e mijëra votave të LSI.  Ai dështoi edhe ne tentativën e ndërtimit të një qeverie PSPD që do të destabilizonte thellë vendin dhe do ta zhyste atë në krizë të thelle politike, ekonomike dhe sociale dhe doli më pas nën trysninë e dështimit që të hidhte baltë dhe mllef mbi marrëveshjen parimore dhe kushtetuese ndërmjet LSI dhe PD. Edi Rama duhet të skuqet e turpërohet kur i përmend 87 mije votat e LSI, sepse ato ishin votat e sakrificave të njerëzve të LSI që i shpëtuan thonjve manipulative të mafiozeve të paguar me miliona euro nga Edi Rama. Ai duhet ta dije mire se jo vetëm ata, por edhe mijëra votues të tjerë të LSI, vota e të cilave ju vodh paturpësisht provojnë zemërim dhe neveri, kur dëgjojnë Edi Rameën të flasë për to, shtoi Vasili. Gjithashtu ai theksoi se LSI ka qindra fakte që provojnë manipulimin e turpshëm të komisionerëve të paguar nga Rama, të cilët do të ndiqen edhe penalisht dhe në qoftë se Edi Rama kërkon sinqerisht ti shkojë të vërtetave deri në fund, e ftojmë të hapim se bashku te 4700 kutitë e votimit dhe jo vetëm ato ku skema manipuluese e tij ka dështuar. Është momenti që Rama të administrojë me dinjitet humbjen dhe të mos vazhdojë më të përdorë si mburoje PS për interesat e tij të brendshme personale dhe partiake. Është gjithashtu momenti që Edi Rama të reflektojë për hartimin e një Reforme zgjedhore të re, të thellë dhe të ndershme thellësisht të ndryshme nga ky Kod zgjedhor i pandershëm që sakrifikoi dhe përdhosi mijëra vota opozitare për hir të ambicies se papërmbajtur të Ramës për të fituar i vetëm dhe për të pasur në grushtin e tij të gjithë shtetin shqiptar. E ftojmë Ramën të heqë dorë nga destruktiviteti dhe obstruksionizmi i vjetruar që bllokon institucionet dhe funksionimin e shtetit për hir të problemeve të brendshme të tij me partinë dhe karrierën e tij, probleme që duhet ti zgjidhe me veten dhe partinë që akoma drejton. E ftojmë Ramën që me qetësi dhe pa mllef të verë interesat e integrimit të demokracisë dhe stabilitetit të vendit mbi interesat e ngushta dhe të vockla personale, sepse karriera e çdo politikani është e parëndësishme krahasuar me këto aspirata madhore te vendit, përfundoi Vasili.
 

Last Updated on Sunday, 05 July 2009 21:25

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›