E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia përfundon punimet për rrugën e Paskuqanit



Rruga në periferi të kryeqytetit që njihet me emrin “Bregu i Lumit” tashmë është plotësisht e rikonstruktuar. Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e kësaj rruge, cila ndodhet në pjesën veri-lindore të qytetit të Tiranës, në kufi me komunën Laknas dhe pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake Nr. 11. Rikonstruksioni i këtij segmenti ka përmirësuar infrastrukturën rrugore, duke përfshirë gjithashtu zgjerimin e rrugës në të gjithë gjatësinë e saj, si dhe realizimin e trotuareve në të dyja anët. Njëkohësisht është ndërtuar rrjeti i ri i ujërave të bardha si dhe rrjeti i ri i ndriçimit rrugor i cili më parë nuk ekzistonte, përmes vendosjes së 20 ndriçuesve të lartë. Përsa i përket gjelbërimit, si një komponent me rëndësi në plotësimin dhe krijimin e një infrastrukture sa më të përshtatshme për banorët e zonës, janë mbjellë 130 pemë bliri aromatik, në të dy anët përgjatë rrugës. Kryebashkiaku Rama, ka marrë pjesë në përfundimin e punimeve, ku është ka cilësuar votën e 28 qershorit, si një mundësi që qytetarët të shohin në mbarë vendin, atë transformim që sot ndihet në Tiranë. “Me votën e 28 qershorit, banorët e kryeqytetit në të gjitha skajet e tij, në çdo periferi edhe në qendër do të kenë jo vetëm një Bashki që punon ditë e natë për ta, por edhe një qeveri kombëtare që do t’i kthejë sytë nga problemet e tyre dhe një Kryeministër, i cili njeh me imtësi të gjitha anët e punës dhe të gjitha problemet që ka kryeqyteti. Ne do të rinisim një punë kolosale të qeverisë kombëtare për Tiranën dhe në një aleancë të paparë deri më sot, mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës”,- theksoi Rama. Rruga u realizua nëpërmjet një financimi prej 27.153.189 lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›