E Diel, 1 Nëntor 2026

Aeroporti i Kukësit, nisin testimet e para, gati vënia në punë brenda verës



Tirana dhe Kukësi do të lidhen shumë shpejt mes tyre nëpërmjet një linje ajrore të brendshme. Dy ditë më parë është kryer testi i parë gjatë të cilit nuk ka dalë asnjë problem teksa një avion me pasagjerë në bord është ulur dhe ngritur në përputhje me të gjitha rregullat dhe pa asnjë incident. Ky test fluturimi me pasagjerë në aeroportin e Kukësit kryhet gjashtë muaj pas përfundimit të testit të sistemit të navigimit i quajtur ndryshe "Flight Checking". Linja e brendshme Tiranë-Kukës është e vetmja mënyrë për të vënë në punë aeroportin për të cilin janë investuar miliona dollarë. Nga ky aeroport nuk mund të kryhet asnjë fluturim ndërkombëtar për faktin se qeveria shqiptare, i ka dhënë aeroportit të Rinasit të drejtën e administrimit të të gjitha fluturimeve ndërkombëtare nga Shqipëria për një periudhë 20-vjeçare. Ramiz Lala, përgjegjës i aeroportit të Kukësit, ka bërë të ditur për mediat se pas përfundimit të testimeve, do fillojnë procedurat për fillimin e fluturimeve të brendshme nga Kukësi në Tiranë. Këto fluturime do të nisin me frekuencën një herë në javë duke shtuar ditët e fluturimeve në vartësi të kërkesave. Një kompani shqiptare do të kryejë fluturimet e brendshme në aeroportin e Kukësit, pasi kjo kompani ka në dispozicion aeroplanë të vegjël që u përgjigjen kërkesave aktuale për fluturime nga Kukësi. Aeroporti i përfunduar pas një granti të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, në shumën 30 milionë dollarë, nuk është vënë në funksionim edhe pse ka qenë i gatshëm që në tetor të vitit 2007. Në atë kohë qeveria shqiptare njoftoi se do të kërkojë heqjen e ekskluzivitetit që ka kompania amerikano-gjermane mbi fluturimet civile në Shqipëri. Ky fakt u bë i ditur nga kryeministri Sali Berisha gjatë Konferencës Ekonomike, të zhvilluar tetorin e kaluar në Tiranë nga revista prestigjioze angleze "The Economist". Sipas Berishës, palët kanë rënë dakord që të marrin një kompani të huaj që do të vlerësojë dëmet e heqjes së kësaj të drejte, të cilat do të kompensohen nga qeveria shqiptare. Ekspertët kanë vlerësuar se, heqja e ekskluzivitetit të aeroportit "Nënë Tereza", do të mundësojë fillimin e funksionimit të aeroportit të Kukësit, si dhe ndërtimin e tre aeroporteve të tjerë në Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër. Një veprim i tillë i qeverisë shqiptare ishte paralajmëruar edhe në shtator të 2007-ës, gjatë një takimi të kryeministrit Sali Berisha me presidentin e kompanisë gjermane "Dorsch Gruppe Holding", Juergen Roeder. Ky i fundit ka prezantuar projekt idenë për ndërtimin e një aeroporti në Sarandë, por është përballur me pengesat ligjore, pasi ekskluzivitetin e fluturimeve e ka për 20 vjet Aeroporti "Nëna Terezë" i Rinasit në Tiranë. Ky ngërç ligjor i krijuar në Shqipëri ka stepur investitorët gjermanë, por kryeministri Sali Berisha në takimin që ka zhvilluar me to u ka premtuar se pengesat ligjore do të tejkalohen. Të njëjtën gjë kryeministri Sali Berisha ka përsëritur edhe në disa raste të tjera por ka mbetur vetëm në kuadrin e një premtimi të pa realizuar. Punimet për ndërtimin e aeroportit kanë filluar më 10 maj të vitit 2003 dhe kanë përfunduar në fund të tetorit të vitit 2005. Sipas projektit dhe standardeve ndërkombëtare, Aeroporti është i kategorisë “C”, me gjatësi të pistës 1900 metër dhe gjerësi 70 metër. Ai përbëhet nga terminali i pasagjerëve, kulla e drejtimit, pistë uljeje e ngritje, brezi anësor jeshil i pistës, rrugët lidhëse, vendqëndrimi për 6-7 avionë të tipave të ndryshme, sistemi i ndriçimit, sistemi i ndriçimit të ulje-ngritjeve, rrethimi i aeroportit me një gjatësi afërsisht 5000 metra, si dhe vend parkimi i mjeteve private. Aeroporti i Kukësit ndodhet në jug të këtij qyteti, në vendin e quajtur Fusha e Meteorit në Shtiqën, pranë fshati me të njëjtin emër, rreth tre kilometër larg nga Kukësi, në lartësinë 353 metër mbi nivelin e detit. Që nga qershori i vitit të kaluar aeroporti i Kukësit është në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Shqipërisë.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›