E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shezai Rrokaj: “Ministria e Arsimit po cenon reformën e Altertekstit”



Futja e librave të rinj, të përkthyera nga gjuhë të huaja në arsimin parauniversitar cenon reformën e Altertekstit. Dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj reagon ndaj vendimit që ka marrë Ministria e Arsimit, për futjen e disa teksteve të përkthyera në vitin e ardhshëm shkollor. Sipas dekanit, ky veprim nga ana e Ministrisë cenon rëndë reformën e Altertekstit, të vendosur disa vite më parë nga ish-ministri i asaj kohe, Genc Pollo. “Nuk mund të marrë një vendim Ministria e Arsimit dhe të ngrejë grupe, sepse roli i Ministrisë është një rol arbitri, që ka për detyrë të gjykojë nëpërmjet grupit të ekspertëve tekstet nëse këto tekste të përkthyera, do të zëvendësojnë ato aktuale dhe do të jenë unike. Kjo është një kundërvënie e hapur e reformës së Altertekstit”, - shprehet Rrokaj. Sipas tij, vendimi për të përkthyer tekste të huaja dhe për t’i integruar në arsimin parauniversitar është një nismë e mirë, por duhet t’ju lihet në dorë shtëpive botuese në vend. “Nuk mendoj se është e drejtë të fillohet me përkthime tekstesh vetëm në shkollën e mesme, pasi siç e dini programet kanë një vazhdimësi dhe ato fillojnë që nga klasa e parë dhe deri vitin e fundit të shkollës së mesme. Prandaj duhet konceptuar një program tërësor, për të mos krijuar thyerje nga sasia e informacionit që jepet në shkollën e mesme me atë që jepet deri në sistemin 9-vjeçar”, - sqaron dekani Rrokaj. Vetëm disa ditë më parë, Ministria e Arsimit, nëpërmjet një bordi të ngritur pranë saj vendosi që të përkthejë katër tekste të huaja si: Matematika, Kimia, Biologjia, Fizika, për t’i integruar ato në vitin e ardhshëm shkollor.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›