Bashkia, përurohen katër fusha sportive dhe minikënde lojërash
Bashkia e Tiranës ndërton katër fusha sportive dhe minikënde lojërash për fëmijët. Ndërtimet janë bërë në blloqet e banimit, përkatësisht në Bllokun Nr. 22 të banimit që shtrihet mes Rrugës së Kavajës, në “Irfan Tomini”, “Muhamet Gjollesha” dhe bulevardin “Zhan D’Ark”. Vlera për ndërtimin e fushave është 10 milionë lekë. Ndërsa punimet e kryera përfshijnë shtrimin e rreth 300 metrave katrorë me tapete plastikë, shtrimin e 400 metrave katrorë me pllaka, shtrimin dhe asfaltimin e rreth 700 metrave katrorë të fushave dhe rrugicave, krijimin e 360 metrave katrorë sipërfaqe të gjelbëruar, vendosjen e 40 stolave. Bashkia kërkon që të shtojë gjelbërimin por edhe argëtimin e të rinjve të kryeqytetit për të qenë më aktivë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u shpreh: “Rritja e tarifës së pastrimit është një rritje e miratuar dhe e kërkuar nga afro 70 për qind e qytetarëve në të gjitha anketat dhe dëgjesat publike që ne kemi bërë. Kjo do të sjellë përmirësimin e kushteve për pastrimin e kryeqytetit”. Sipas Ramës, kjo rritje e taksës së pastrimit është simbolike dhe nuk lë vend për ankesat e qytetarëve. “Dua të përfitoj nga rasti për t’u thënë të gjithë atyre që fajësojnë Bashkinë e Tiranës për rritjen e taksave se ajo çka është rritur është vetëm tarifa e pastrimit dhe ajo e gjelbërit dhe është një rritje shumë modeste për të garantuar që ky qytet të jetë qyteti i komuniteteve”,- theksoi Rama.
28 Shkurt 2008