Berisha: “Universitete private, kur 2\3 e stafit janë të brendshëm”
Rregullat e reja për të balancuar privatët me publikët. Qeveria miratoi dje hapjen e disa universiteteve të reja dhe zgjerimin e programeve të studimit për disa shkolla të larta
Jonida Tashi
Qeveria përcaktoi dje kritere të reja për hapjen e një universiteti privat. Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha bëri publike mënyrën e re të funksionimit të këtyre universiteteve. Sipas Berishës, kriter i rëndësishëm, përveç logjistikës, do të jetë edhe stafi akademik konstant i universiteteve, ku në çdo kërkesë për hapjen e një universiteti të ri, 2/3 e pedagogëve të tij duhet të jenë permanentë. “Universitetet nuk mund të bëhen me pedagogë udhëtarë, që udhëtojnë nga një universitet në tjetrin. Universiteti do të hapet vetëm kur të plotësohen standardet e vendosura, në rast të kundër, nuk do të lejohet hapja e tij”, - tha dje kryeministri. Sipas tij, në të gjitha shërbimet, qeveria ka dhe do të ketë vetëm një të drejtë, standardin, sepse me të ne mbrojmë interesin e qytetarit.
Sektori privat
Krahas arsimit të lartë, kryeministri kërkoi tërheqjen e vëmendjes së sektorit privat edhe në arsimin e mesëm profesional, duke siguruar se nga ana e saj, qeveria do të shohë mundësitë e një kuadri lehtësues financiar në këtë drejtim. “Duhet të bëjmë çdo përpjekje për të zgjuar interesin e sektorit privat për arsimin e mesëm profesional. Qeveria i ka këto përpjekje, para së gjithash, financiare, prandaj duhet të shohim një kuadër lehtësues financiar për shkollat e mesme profesionale dhe mundësitë e ndarjes së ngarkesës financiare, si dhe çdo stimul tjetër,” - u shpreh kryeministri, duke kërkuar nga Ministria e Financave të shqyrtojë mundësitë e një qëndrimi të diferencuar ndaj investimeve private në arsim dhe shëndetësi. Sipas tij, sektori publik bëhet një konkurrencë e pandershme dhe e pamëshirë ndaj investimeve private, dhe kjo duhet të mbahet parasysh.
Universitetet e reja
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme miratoi edhe hapjen e disa universiteteve të reja private dhe zgjerimin e programeve të studimit për disa universitete e shkolla të larta. Duke e përshëndetur këtë vendim, kryeministri Berisha u shpreh se inkurajimi i investimeve private në arsim është i mirëpritur dhe një nga objektivat e Ministrisë së Arsimit. Sipas kryeministrit, universitetet dhe arsimi privat në tërësi përfaqësojnë rrugën më të mirë të rritjes së përqindjes së financimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në një vend. Kryeministri tha se qeveria do të kërkojë vendosjen dhe respektimin e standardeve në arsimin e lartë. Në këtë kontekst ai bëri të ditur se brenda disa muajve do të kontraktohet me tender të hapur ndërkombëtar, një nga kompanitë më serioze europiane për të bërë klasifikimin me pikë të universiteteve publike e private.
Vlerësimi
Kreu i qeverisë ka siguruar qytetarët shqiptarë se brenda disa muajve do të kontraktohet, me tender të hapur ndërkombëtar, një nga kompanitë më serioze në Europë, që do t’i vendosë në vlerësim të pavarur si universitetet private dhe ato publike. E gjitha kjo do të bëhet për të vendosur në kushte të barabarta klasifikimin e të gjitha universiteteve. Kryeministri vlerësoi se klasifikimi i tyre do ta bëjë procesin transparent dhe do t’i qartësojë qytetarët shqiptarë. “Në këtë mënyrë do ta bëjmë procesin transparent dhe do të qartësojmë qytetarët shqiptarë në lidhje me klasifikimin e tyre, duke u bërë të qartë se ky universitet nuk mund të funksionojë dhe prandaj futet në ‘listën e zez뒔,- sqaroi Berisha. Ndërkohë e njëjta gjë do të bëhet edhe për degët publike, të cilat, në rast se vlerësohen se nuk mund të funksionojnë, do të futen në “listën e zezë”.
28 Shkurt 2008