E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku: “Shiringat po kanosin jetën e pacientëve”

QSUT, mbetjet e spitaleve digjen brenda oborrit. Sipas mjekut Faik Toska, djegia shkakton mbetjet toksike
Emanuela Sako
Djegia e mbeturinave të spitaleve shkakton rrezik për jetën e pacientëve. Në ambientet e QSUT-së, mbeturinat digjen në koshat e plehrave duke lëshuar në atmosferë lëndë të dëmshme për jetën e njerëzve përreth. Doktori i Shkencave në fushën e Mjekësisë së Punës dhe Mjedisit, Faik Toska, jep alarmin se mbeturinat e spitaleve, shiringat, serumet, plastmaset, mbetjet e operacioneve etj. janë faktorë tepër të dëmshëm për jetën e qytetarëve dhe pacientëve të shtruar në QSUT. Sipas tij, mbetjet duhet të digjen në një aparaturë të posaçme, e cila ndodhet në QSUT, por në shumicën e rasteve është jashtë funksionit. Aparatura në QSUT është ekzistuese dhe është dhuratë nga Komuniteti Europian që në vitin 2003. Mesa duket, neglizhenca e Drejtorisë së QSUT-së dhe detyrimisht e personelit të posaçëm për pastrimin e ambienteve të brendshme dhe jashtë spitalit, bën që kjo detyrë të ngelet jashtë funksionimit të saj.
Situata
Situata në QSUT për shkak të mbeturinave është tepër problematike dhe e pazakontë për një spital me parametrat e QSUT-së, në të cilin kurohen mijëra pacientë në ditë. Djegia e mbeturinave ndodh rëndom çdo ditë dhe për më tepër edhe gjatë mesditës dhe jo vetëm në orët e vona të natës. Po të vëzhgosh koshat e plehrave të vendosur në të gjitha pjesët e oborrit, vëren thasë të mëdhenj plastmasi të mbushura me mbetje nga të cilat terrorizohesh kur sheh fasha me gjak, shiringa, serume, etj. që mesa duket mjekët nuk i kanë lënë të mbarojnë deri në fund ilaçin. Gazi që çlirojnë në natyrë jo vetëm që ndot ambientin, por bën që qytetarët aty pranë të përdorin mëngët apo golfet për të bllokuar frymëmarrjen nga ajri i rëndë që detyrohen të thithin gjatë gjithë kohës.
Efektet
Specialisti Toska sqaron se gazi që çlirohet nga djegia e serumeve apo objekteve të tjera që përmbajnë ende preparate në brendësi është tepër i dëmshëm dhe bëhet shkak për një sërë sëmundjesh të tjera te pacientët apo qytetarët që ndodhen përreth. Toska shpjegoi se djegia e mbeturinave spitalore duhet të bëhet në dy linja. Së pari, mbetjet e domosdoshme të mjeteve spitalore duhet të digjen në aparaturën e posaçme, e cila bën përpunimin dhe gazi që çlirohet në këtë rast nuk është i dëmshëm pasi aparatura bën pastrimin kimik dhe fizik të mbeturinave spitalore. Së dyti, mbetjet ushqimore duhet të hidhen në koshat normalë, të cilët digjen në vendet e caktuara nga bashkia. Në këtë fazë, QSUT-ja mund të renditet si një zonë me ndotje të lartë ambientale.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›