Banka Botërore, 26 projekte “Laboratorë” për universitetet e Tiranës
Tre universitet e Tiranës, të cilat japin diploma “Master” dhe “Doktoraturë”, kanë përfituar 26 projekte “Laboratorë”, të cilët do të realizohen gjatë këtij viti. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, vizitoi dje Universitetin Politeknik të Tiranës dhe laboratorët e këtij universiteti, të instaluar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, në kuadrin e projektit “UNILAB 2007”. Për herë të parë pas shumë vitesh në Institucionet e Larta Publike, vitin e kaluar u investua nga buxheti i shtetit me 2.4 milionë USD për projektet e përmirësimit të infrastrukturës laboratorike jo vetëm për mësim, por dhe për kërkim shkencor në këto institucione. Kjo shumë u akordua pas një periudhe të gjatë pa investime të këtij lloji në universitete.
Vlerësimi i projekteve
Në vlerësimin e këtyre projekteve MASH-i mori parasysh së pari kërkesat e tre universiteteve të Tiranës, të cilat japin diploma “Master” e “Doktoraturë”, si dhe u dha prioritet degëve, të cilat kanë më tepër nevojë për laboratorë për një punë jo vetëm didaktike, pra për studentët, por edhe kërkimore për stafet akademike (si
degë të Politeknikut apo të Shkencave të Natyrës dhe të Mjekësisë në UT). Për financimin e projekteve u morën parasysh gjithashtu përputhja me strategjinë e universiteteve, lëndët dhe modulet që ata plotësojnë, përfituesit në numër, si dhe shërbimet për të tretët. (Kjo e fundit do të thotë se çdo universitet, në bazë të cilësisë së punës në këta laboratorë, do të mund të ofrojë në të ardhmen shërbime të ndryshme për institucione shtetërore apo private). Edhe për vitin 2008 buxheti i shteti ka parashikuar 2.2 milionë USD të tjerë për instalimin e laboratorëve të rinj në Institucionet e Arsimit të Lartë (UNILAB 2008).
Projektet
Për UNILAB 2007, në MASH u ngrit një komitet, i cili pasi vlerësoi disa projekte të paraqitura, propozoi për financim 26 projekt-propozime, përkatësisht: Në Universitetin e Tiranës u vlerësuan 10 projekte me vlerë 802 300 USD. Në Universitetin Politeknik të Tiranës u vlerësuan 11 projekte me vlerë 902 700 USD. Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u vlerësuan 5 projekte me vlerë 395 000 USD (vetëm pajisje laboratorike; 300.000 USD u dhanë për pajisje mobilierie, tavolina pune, karrige etj.)
Vlera totale e projekteve rezulton të jetë 2 100 000 USD ( vetëm pajisje).
28 Shkurt 2008