E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, projekt për vlerat antike të Amfiteatrit të Durrësit

/>Amfiteatri i qytetit të Durrësit shumë shpjet do të boshatiset nga shtëpitë që ndodhen në territorin e tij, të cilat dhe kanë penguar gërmimet arkeologjike për të zbuluar vlerat e tij antike. Për këtë qëllim Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Durrësit ka miratuar lejen për ndërtimin e një pallati banimi, ku do të strehohen familjet që jetojnë në shtëpitë e ndërtuara mbi arenën e amfiteatrit antik të qytetit. Procedurat e shpronësimit dhe sistemimit në apartamentet e rinj do të kryhen në bashkëpunim me qeverinë. Pallati i ardhshëm me 24 apartamente do të ndërtohet pranë rrugës në hyrje të qytetit dhe kati i parë do të shfrytëzohet për administratën bashkiake të rajonit, ndërsa pesë katet e tjera si dhe garazhet do të vihen në dispozicion të familjeve që banojnë në shtëpi private të ndërtuara në vitet 1940-1950 mbi rrënojat e amfiteatrit. Mësohet se gjatë vitit 2008 bashkia ka akorduar një fond prej 50 milionë lekësh për ndërtimin e pallatit të ri dhe se një fond tjetër, përsëri 50 milionë lekë, do të miratohet në vitin 2009 që të plotësohet shuma e nevojshme për të përfunduar ndërtimin brenda dy viteve të ardhshme. Çela sqaroi se numri i familjeve që do të sistemohen në pallatin e ri është rreth 20. Prishja e shtëpive mbi arenën e amfiteatrit do të mundësojë vazhdimin e gërmimeve arkeologjike në monumentin më të madh të antikitetit të zbuluar në vendin tonë. Gjatë periudhës korrik-gusht, për pesë vite radhazi, një ekspeditë italo-shqiptare e drejtuar nga arkeologët e universitetit të Parmës (Itali), ka zbuluar struktura mjaft të rëndësishme në pjesën juglindore të mureve të amfiteatrit. Kjo ekspeditë do të vazhdojë gërmimet me financimin e qeverisë italiane edhe në vitet 2009-2010. Bashkia e Durrësit ka vendosur që 35 për qind të investimeve të vitit 2009 t'ia kushtojë zbulimit të plotë të arenës, përmes largimit dhe sistemimit të familjeve në një pallat të ri. Ndërkohë që Bashkia e Durrësit po kërkon të bashkëpunojë me qeverinë për të zgjidhur ligjërisht procedurat e shpronësimit dhe pajisjes me apartamente falas për familjet që banojnë mbi arenën e amfiteatrit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›