Four Christmases, komedia hollivudiane për festat e fundvitit

/>Pas një romance të dhimbshme dhe të bukur si Dashuri në Rodante është radha e një komedie festive për tu projektuar në ekranin e madh të kinemasë. Madje kjo komedi është edhe kartolina me të cilën kinema Millennium uron për festat e fundvitit publikun shqiptar. Në Millennium ajo që në të gjithë botën është quajtur ndryshe si komedia e pushimeve të dimrit, Four Christmases, në shqip Katër Krishtlindje, por që mund të rrijë mjaft me mirë edhe me titullin Katër Festa. Komedia, vjen si një hyrje e veçantë jashtë titujve të planifkuar të kalendarit të shfaqjeve dhe do të shoqërojë shqiptarët në kulmin e festave. Madje Four Christmases do të shënojë edhe kapërcimin e viteve duke u bërë kështu filmi i fundit që shfaqet për vitin 2008 dhe filmi i parë i vitit 2009.
Jo, një, as dy, madje as tre, por plot katër Krishtlindje brenda një dite të vetme. Kështu është i detyruar të festojë një çift amerikan nga San Francisco ditën e krishtlindjeve. Kejt dhe Bred janë të lumtur ndonëse akoma të pamartuar dhe për 25 dhjetorin kishin planifikuar një pushim të nxehtë. Por mjegulla i prish planet e tyre dhe rrethanat i detyrojnë ata që tu kthehen vizitave tradicionale festive tek prindërit e tyre. Por festa bëhet më stresuese pasi prindërit e çiftit janë të divorcuar dhe kanë krijuar secili prej tyre nga një familje. Kështu dy të rinjtë përfundojnë për tu takuar jo vetëm me prindërit, por edhe me burrat e gratë e tyre, fëmijët e nipërit e gjetur gjithashtu. Në këtë mënyrë çifti do të përballet me frikërat e tij për të rihapur plagët e adoleshencës apo të vihet përpara dilemës për martesën dhe fëmijët. Ndërsa Bred numëron minutat në familjen e tij të stërmadhe, Kejt fillon të shikojë realitetin me një sy tjetër dhe të pyesë veten nëse zgjedhjet e çmendura të familjarëve të saj janë me të vërtetë të çmendura. Ky është subjekti i komedisë familjare, e cila duket se ka qenë mjaft e preferuar për publikun e huaj. Dhe jo më kot studioja New Line Cinema e ka hedhur në tregun kinematografik në prag të atmosferës festive. Komedia Four Christmases është bërë objekt i shtypit të huaj që para se të shfaqej premierë. Dhe jo vetëm për lajme që informojnë se cilët janë aktorët kryesorë të filmit por edhe për ndodhi të çuditshme gjatë xhirimeve të tij. Kështu titulli i komedisë është lakuar së bashku me emrat e dy protagonistëve, të cilët thuhet se gjatë periudhës së xhirimeve kanë pasur një sherr të hapur mes tyre. Thuhet se aktorja më e paguar e Hollivudit Reese Witherspoon dhe ish-i fejuari i Jennifer Aniston, Vince Vaughn gati sa nuk janë rrahur me njëri-tjetrin. Aktorja e njohur në rrethin e miqve të saj për karakterin e fortë dhe strik nuk i ka duruar më vonesat dhe sjelljen sipërfaqësore të kolegut të saj, i cili sipas saj në vend që të studiojë rolin, harxhon kohën kot me fjalë. Sipas një burimi të New York Daily News sherri kishte shpërthyer në atë kohë për shkak të një ndryshimi të thellë të karakterit dhe parimeve profesinale. Një ditë Witherspoon ka humbur kontrollin dhe i është vërsulur aktorit i cili si përditë kishte mbërritur me vonesë në sheshxhirim ndërsa ajo e priste prej kohësh me skenarin në dorë. Sherri kishte qenë i pashmangshëm shkruante para disa muajsh New York Daily News: "Ai iu vu pas asaj dhe dukej sikur do ti qëllonte me gjithë fuqinë që kishte ". por natyrisht që këto sherre, të vërteta ose jo nuk kanë ndikuar aspak në lojën e dy aktorëve të cilët në film për ironi të fatit janë shumë të lumtur me njëri-tjetrin.