Bashkia rikonstrukton palestrën në “Shkollën e Kuqe”
Nxënësit e “Shkollës së Kuqe” do të nisin vitin e ri shkollor me palestër të re. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e palestrës në këtë shkollë, në mënyrë që nxënësit ta nisin vitin shkollor me kënde sportive në ambientet e shkollës.
Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion rreth 5 milionë lekë për rikonstruksionin e ambienteve të palestrës duke bërë ndërhyrje në përmirësimin e mjediseve sportive në shkolla dhe në lagje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama inspektoi ecurinë e punimeve në këtë palestër, duke theksuar se bashkia ka në plan ndërtime të tjera dhe palestra në vitin që vjen. Shkolla e Kuqe (9-vjeçare) ndodhet në rrugën “Qemal Stafa” dhe është rikonstruktuar totalisht në vitin 1999, ndërkohë që në palestrën e kësaj shkolle janë përfunduar punimet ndërtimore dhe lind nevoja e përfundimit të rifiniturave. Ndërhyrjet e propozuara konsistojnë në përfundimin e punimeve të rifiniturës së shtresave dhe mureve betonarme, për një zhvillim normal të procesit mësimor dhe edukativ. Do të realizohet shtrimi, i cili do të vendoset mbi shtresa cilësore të sipërfaqeve absorbuese, vet-niveluese, pikërisht për salla shumë sportesh. Punimet do të jenë cilësore dhe të domosdoshme për ambientet e mësimdhënies.
20 Gusht 2008