Godo-Willson, prioritet specializimi i mjekëve
Ministria e Shëndetësisë do të bëjë përpjekje për specializimin e mjekëve në disa profile të domosdoshme. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zhvilloi një takim pune me, F. A. Willson, Ambasador i Britanisë së Madhe në vendin tone, ku u diskutua për reformat në shëndetësi. Ministrja Godo, tregoi gatishmërinë maksimale për bashkëpunim me Britaninë e Madhe në realizimin e reformave në shëndetësi, bashkëpunim ky që pritet të përmirësojë dhe të modernizojë sistemin shëndetësor në Shqipëri. Godo, propozoi bashkëpunim për përmirësimin e standardeve, trajnimin e mjekëve tanë në Britani, si pika kyçe për rritjen e standardeve të shërbimit shëndetësor. Willson, ofroi mbështetje maksimale për realizimin e reformave të ndërmarra për rritjen e cilësisë së shërbimit për pacientët shqiptar. Ky bashkëpunim konsiston sidomos në trajnimin e stafit mjekësor. Ministrja Godo, falënderoi ambasadorin e Britanisë së Madhe për bashkëpunimin dhe ndihmën, duke theksuar historinë e gjatë të këtij bashkëpunimi mes dy vendeve mike në fushën e shëndetësisë. Ambasadori Britanik, shprehu mbështetjen e tij dhe besimin se kërkesa për bashkëpunim mes dy vendeve do të ketë një reagim pozitiv edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Britani.
Gjoba për tregtarët ambulatorë të ushqimeve blegtorale
Autoritet kanë ushtruar kontrolle për tregtarët ambulatorë të produkteve blegtorale që tregtojnë jashtë normave të vendosura.
Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me strukturat e kontrollit ushqimor, ka ndërmarrë masa intensive për përmirësimin e tregut blegtoral dhe mishit të shpendëve në të gjithë vendin. Specialistët e kësaj ministrie shprehen se është ndaluar shitja e produkteve blegtorale të pa ambalazhuara dhe pa certifikatën e kontrollit të cilësisë. Gjithashtu, është parashikuar gjobitja e tregtarëve të palicencuar dhe të pa pajisur me leje shëndetësore. Sipas burimeve të mësipërme mësohet se produktet blegtorale do të lejohen të shiten vetëm në njësitë e rregullta tregtare, ndërkohë që po mbahen nën kontroll zonat bregdetare të vendit, ku dhe numri i konsumatorëve është i lartë për shkak të sezonit turistik. Ministria e Bujqësisë sqaroi se të njëjtat kritere po ndiqen edhe për tregtimin e prodhimeve shtazore dhe detare, me qëllim sigurinë ushqimore dhe ruajtjen e shëndetit të konsumatorëve.
20 Gusht 2008