E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, aparatura për tumorin prej disa ditësh jashtë funksionit



Emanuela Sako

Të sëmurët me tumor prej disa ditësh nuk kanë mundur të marrin kurimin e duhur për shkak të mungesës së aparaturës së Kobaltit. Kjo aparaturë ndodhet në Shërbimin Onkologjik të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, por prej disa ditësh ka dalë jashtë funksionit. Shkak për këtë është bërë një defekt në aparaturë, e cila aktualisht është e vështirë të riparonte dhe deri atëherë pacientët do të presin. Aparatura mirëmbahet nga Agjencia e Fizikës Bërthamore dhe për dëmtimin e saj në Shërbimin Onkologjik është vënë në dijeni dhe Agjencia e Fizikës Bërthamore në Tiranë, të cilët kanë konfirmuar dërgimin e një inxhinieri. Sipas disa burimeve, për riparimin e aparaturës kanë ardhur më parë inxhinierë të huaj. Kjo dhe për shkak se Kobalti është një aparaturë specifike dhe në vendin tonë mungojnë inxhinierë të mirëfilltë për ta riparuar. Drejtoria e QSUT-së për shmangien e rasteve të tilla ka vendosur që për çdo aparaturë të tillë specifike, në momentin që të montohet, në QSUT të ketë edhe një kontratë mirëmbajtjeje me firmën që e monton.
Mungesa
Shërbimi Onkologjik në QSUT gjatë këtij viti ka pasur mungesa të thella në medikamente dhe kryesisht në ato që kanë një kosto të lartë, të cilat pacientët e kanë të vështirë t’i blejnë. Kjo u bë e ditur nga vetë autoritet përkatëse, në bazë të një studimi të bërë kohët e fundit mbi koston e pacientit, të trajtuar gjatë vitit 2007 në lidhje me trajtimin me citostatikë dhe barna të tjera për kurimin e tumoreve. Kostoja reale e nevojave për barna të tilla shkon deri në 8.5 milionë euro, që është një shumë e konsiderueshme. Shefi i Shërbimit shprehet se buxheti nga viti në vit është i pamjaftueshëm. Buxheti është i pamjaftueshëm për të plotësuar të gjitha kërkesat dhe mbulimin për çdo problematikë që të sëmurët onkologjikë paraqesin.
Numri
Faktorët ambientalë dhe ndryshimi i jetesës në vitet e fundit ka bërë që tumoret të shtohen në krahasim me vitet '90. Rreth 2800 persona në vit vdesin nga kjo sëmundje, ndërkohë që raste të të prekurve janë 3500 deri në 4000 femra dhe meshkuj. Specialistt sqarojnë se ndonjëherë shkaktarë të sëmundjes bëhen vetë personat, pasi konsumimi i alkoolit dhe duhanit është një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shtimin e rasteve. Kanceri i mushkërive është më i përhapuri te meshkujt, ndërsa te femrat është kanceri i gjirit. Mjekët rendisin si shkaktarë kryesorë të formimit të tumoreve konsumimin e duhanit, që njihet si një nga faktorët kryesorë për shfaqjen e tumoreve në mushkëri. Po kështu, konsumimi i tepërt i alkoolit ka një ndikim tepër negativ në organizëm dhe prek stomakun. Ndryshimi stilit të jetesës në ushqyerje bëhet shkak për shtimin e sëmundjes. Sipas specialistëve, qytetarët e kanë shtuar ushqyerjen me mish dhe përdorimin më të paktë të zarzavateve. Përdorimi i kimikateve në bujqësi, industri dhe ndërtim, bën që punonjësit e pambrojtur të jenë më të prirur ndaj prekjes nga tumoret. Rrezikshmëri shfaqin edhe elementet toksikë te ushqimet për shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë. Ka një sërë faktorësh natyrorë që shfaqin rrezikshmëri të lartë, siç është rritja e intensitetit të rrezatimit ultraviolet për shkak të hollimit të shtresës së kozmosit, i cili shkakton kancerin e lëkurës. Ndotja e ambientit nga tymi i makinave shfaq efekte negative te të gjithë personat. Një ndër shkaktarët e përhapjes së sëmundjes së kancerit është edhe mbipesha, apo lëvizja me makinë e personave, ku shumica e qytetarëve nuk lëvizin më këmbë dhe nuk bëjnë një jetë aktive.
Niveli i lartë i hormoneve sjell menopauzë të shpejtë te gratë dhe tumor të qafës së mitrës. Përdorimi i medikamenteve të shumta dhe të pakontrolluara apo drogave bëjnë që organizmi të mos jetë rezistent ndaj kancerit.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›