E Diel, 1 Nëntor 2026

Theren me thikë kunatat për zënkat e fëmijëve



LUSHNJE – Një sherr banal mes fëmijëve, ka përfunduar me përdorimin e shkopinjve dhe armëve të ftohta, ku ka mbetur e plagosur njëra nga kunatat. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi katër ditë më parë në fshatin Muriz të rrethit të Lushnjës. Sipas tyre, ditën e djelë pasdite ka mbërritur në spitalin e Lushnjës e plagosur rëndë shtetasja Sherina Musaku. Pas informacioneve të para është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes. Vetë 58-vjeçarja Musaku ka denoncuar në polici për ushtrim dhune kunatën e saj, Burbuqe Musaku, ndaj së cilës kanë nisur menjëherë hetimet. Burimet policore bëjnë të ditur se ajo po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa e lënduara, pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është larguar në shtëpi.
Konflikti
Të dielën në mesditë fëmijët e dy familjeve Musaku në fshatin Muriz të rrethit të Lushnjës ishin duke luajtur me njëri-tjetrin, kur në një moment, loja mes të miturve është tensionuar dhe njëri nga fëmijët ka qëlluar me shkop në kokë kushëririn e tij. Kaq ka mjaftuar dhe fëmija është ankuar tek nëna e tij. Sherina Musaku ka dalë jashtë në oborr dhe ka marrë shkopin duke qëlluar fëmijën që i goditi të birin. Por, ky episod është bërë shkas që konflikti zgjerohej më tej. Në momente tensioni, pasi ka dëgjuar të qarat e djalit të saj, Burbuqe Musaku ka dalë jashtë dhe ka parë kunatën e tij me shkop në dorë. Në atë moment, ajo mbante një thikë në dorë. Pasi kanë debatuar mes njëra-tjetrës, dy kunatat janë konfliktuar duke përdorur mjete rrethanore. Burimet në grupin hetimor bëjnë të ditur e Sherina Musaku e ka qëlluar me shkop bashkëshorten e kunatit, ndërsa kjo e fundit e ka qëlluar me thikë, duke i shkaktuar plagë në pjesën e barkut. Në konfliktin mes dy grave kanë hyrë fqinjët, të cilët kanë bërë të mundur që të shmangin përkeqësimin e situatës. Më pas 58-vjeçarja është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku ka marrë ndihmën e parë.
Hetimi
Policia e Lushnjës ka marrë informacionin se një grua kishte mbërritur në spital me plagë në trup. Agjentët kanë marrë fillimisht dëshminë e Sherina Musakut. Ajo ka akuzuar kunatën e saj për plagosjen. Më pas, mësohet se ndaj Burbuqe Musakut është bërë denoncimi. Policët janë nisur në drejtim të fshatit Muriz, ku kanë marrë në pyetje të akuzuarën. Burimet spitalore pohojnë se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21.30 ka mbërritur në spital 58-vjeçarja me disa hematoma në trup dhe një çarje të lehtë me thikë. Sipas tyre, Sherina Musaku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, burimet policore në komisariatin e Lushnjës bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj shtetases Burbuqe Musaku, pasi akuzohet për “plagosje të lehtë”.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›