Shkëndija elektrike shkrumbon supermarketin
SHKODËR - Flakët e zjarrit të shkaktuara nga një shkëndijë elektrike kanë përfshirë një supermarket në komunën e Gurit të Zi, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Burime nga policia lokale thanë se flakët e rënda pasditen e së martës kanë djegur plotësisht një supermarket me dy kate, në pronësi të shtetasit Fiqeret Sulejmani. Dëmet e shkaktuara nga zjarri arrijnë në shifrën mbi 10 milionë lekë". Mësohet se Policia e Mbrojtjes Ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit (PMNZSH) ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur lokalizimin e flakëve dhe mospërhapjen e tij në godinat që ndodheshin përreth, ndër të cilat një pikë tregtimi me bombola gazi.
Flakët rrezikojnë fabrikën e Çimentos
ELBASAN - Nje zjarr i fuqishëm është evidentuar pranë fabrikës se çimentos ne Bradashesh të Elbasanit. Flakët e zjarrit që kanë rënë në një masiv pyjor shumë pranë fabrikës kanë vënë në lëvizje shumë forca policie dhe 3 zjarrfikëse të cilat luftuan për disa orë për shuarjen e tij. Temperaturat e larta favorizuan flakët, të cilat rrezikuan kompleksin e ndërtesave të fabrikës. Policia dhe reparti zjarrfikës kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë pasi terreni i thyer në masivin pyjor nuk lejonte mjetet zjarrfikëse të punojnë në vatrat e zjarrit. Vetëm mbrëmjen e së martës është bërë e mundur shuarja e flakëve, ndërkohë që raportohet për dhjetëra hektarë pyje të shkrumbuara. Policia po punon për gjetjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.
Bllokohet Porche i vjedhur në Itali, ndalohet 21-vjeçari
ELBASAN – Edhe një tjetër makinë luksoze e trafikuar nga Italia në Shqipëri është ndaluar nga forcat e policisë. Seksioni kundër trafiqeve të paligjshme ka bllokuar një makinë luksoze, të tipit Porche, me targat Tr 4883 P, e drejtuar nga shtetasi Rigers Kusi, 21 vjeç, banues në lagjen Emin Matraxhia të Elbasanit. Mendohet se ky mjet është vjedhur në Itali dhe si rezultat ka nisur çështja penale ndaj poseduesit të saj. Gjatë këtij viti janë regjistruar disa raste të trafikimit të makinave nga Europa Perëndimore në vendin tonë. Në pikat kufitare të Hanit të Hotit, Durrësit dhe Vlorës janë ndaluar disa persona, ku nuk kanë munguar as shtetas të huaj të përfshirë në trafikimin e mjeteve motorike.
20 Gusht 2008