E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi shmang Ina Ramën për prokurorin e Durrësit

TAKIM
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje për rreth 20 minuta secilin prej prokurorëve që ai duhet të firmosë për drejtimin e akuzës në Durrës


Dje në mesditë Topi dëgjoi mendimet e katër kandidatëve, ndërsa kryprokurorja ende nuk i ka rekomanduar atij asnjë prej emrave

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, si asnjëherë më parë thërriti dje për një intervistë njohjeje katër kandidatët e votuar nga anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, për drejtimin Prokurorisë së Durrësit. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Presidentit të Republikës dhe zyrtarëve të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa duket se një veprim i tillë ka shmangur Prokuroren e Përgjithshme., .


Sipas këtyre burimeve, mësohet se me kërkesën e Presidentit Topi, katër kandidatët për drejtues të Prokurorisë së Durrësit, prokurori Adnan Xholi, Përparim Kulluri, Altin Binaj dhe Ardian Ylli, kanë pasur secili nga një bisede rreth 20 minutëshe me me kreun e shtetit, në lidhje me CV-it e tyre dhe vizionin për mënyrën e drejtimit të institucionit të akuzës.


Mësohet se takimi i Presidentit me secilin prej kandidatëve ka zgjatur jo më shumë se 30 minuta, kohë kjo e cilësuar e mjaftueshme nga kabineti i Presidentit për të krijuar ky i fundit një njohje të përgjithshme për drejtuesin e ardhshëm të institucionit të akuzës në qytetin e Durrësit. Sipas këtyre burimeve, mësohet se gjatë takimit me katër kandidatët e votuar nga anëtarët e Këshillit, Presidenti Topi ka kërkuar nga ata vizionin e tyre për mënyrën e drejtimit të Prokurorisë së dytë më të madhe në vend.


Nuk bëhet e ditur tashmë se pas takimit të Presidentit Topi me katër kandidatët për drejtues të Prokurorisë së Durrësit kush do të jetë personi që do të vendosë për emrin e ri, ai i Presidentit apo vetë kryeprokurorja Rama. Sipas procedurës dhe Ligjit të Prokurorisë, pas rekomandimeve të Prokurores së Përgjitshme, ajo ka ekskluzivitetin, për t'i propozuar Presidentit të Republikës, emrin që ajo mendon se duhet të drejtojë një insitutcion të prokurorisë në një rreth të caktuar.


Pas propozimit të kreut të akuzës, kreu i shtetit zgjedh se cilin do ta dekretojë nga kandidaturat e rekomanduara. Në rastin e mësipërm ende nuk ka një konfirmim që Ina Rama të ketë dërguar tek Presidenti Topi, ndonjë prej emrave të votuar në nga Këshilli i Prokurorisë.
Anëtarët e tij, në mbledhjen e 12 marsit, morën në shqyrtim emrat dhe CV-it e 15 kandidatëve për drejtues të prokurorisë së Durrësit.


Pasi u shqyrtuan këto emra u votuan vetëm katër prej tyre. Institucioni i akuzës në qytetin e Durrësit që prej datës 3 mars ka mbetur pa drejtues, pasi mandati 4 mujor i prokurorit të komanduar, Bujar Sheshi, përfundoi, duke sjellë edhe ngërç në punën e përditshme të prokurorëve të institucionit.


Ky ngërç për zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme nuk ekziston, pasi sipas tyre, çdo veprim i kërkuar nga prokurorët kryhet nga zv/drejtuesja e këtij institucioni, prokurorja Elena Bakellbashi. Këto zëra zyrtare, prokurorët e institucionit të akuzës në Durrës i hedhin poshtë, duke pretenduar se ajo firmos vetëm veprimet procedurale të vleftësimit të arrestit dhe caktimet e masave të sigurisë.


"Kemi gati 15 ditë që jemi bllokuar dhe nuk kryejmë asnjë veprim procedural hetimor për mungesë të drejtuesit. zv/drejtuesja Bakellbashi ka të drejtën e firmës vetëm për rastet emergjente, si masa të sigurisë e ca veprime të domosdoshme hetimore urgjente. Ndërkohë, kemi tre ditë që nuk e shohim të paraqitet as në zyrë prokurori i komanduar Bujar Sheshi"-thanë burimet e prokurorisë së Durrësit.

KANDIDATËT

Altin Bino, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Fierit, dy vota
Përparim Kulluri, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, një votë
Adnan Xholi, aktualisht prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, një votë
Ardian Ylli, aktualisht prokuror në Durrës, dy vota

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›