Universitetet, miratohen tarifat e shkollimit për vitin e ri akademik
Jonida Tashi
Miratohen tarifat e studimit që do të paguajnë studentët e rinj, gjatë vitit akademik 2009-2010. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë, Sali Berisha ka deklaruar zyrtarisht se tarifat e studimit për vitin e ri akademik do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Ky është një lajm i mirë për mijëra studentë që do të ulen këtë vit për herë të parë në auditorët e universitete publike të vendit, sidomos në ato të Universitetit të Tiranës, pasi tarifat e propozuara nga drejtuesit e këtij të fundit ishin disa herë më të larta se ato të vjetshmet.
Tarifat
Tarifat e studimit për të dytin vit radhazi në universitetet publike të vendit nuk kanë pësuar asnjë rritje. Për rrjedhojë, të gjithë studentët që do të pranohen këtë vit në universitetet publike të vendit do të paguajnë të njëjtën taksë shkollimi që kanë paguar edhe paraardhësit e tyre. Qeveria, bazuar edhe në propozimet e bëra nga drejtuesit e universiteteve për tarifat e studimit ka bërë miratimin e tyre, pa bërë asnjë ndryshim, me përjashtim të Universitetit të Tiranës. Ky i fundit, ishte i vetmi universitet publik që i kishte propozuar qeverisë rritje të tarifave për disa degë të tij, ndërsa drejtuesit e universiteteve të tjera kërkuan tarifa të njëjta me ato të vjetshmet.
Universitetet
Por megjithë mosmiratimin e tarifave të propozuara të Universitetit të Tiranës për vitin akademik 2009-2010, sërish studimet në këtë universitet do të kushtojnë më shumë krahasuar me universitetet e tjera në vend. Përgjithësisht, studimet në universitetet publike do të kushtojnë nga 15 mijë deri në 30 mijë lekë, përjashtim bën vetëm dega “Regji filmi” në Akademinë e Arteve, e cila do t’i zbras mirë xhepat e studentëve me taksën 80 mijë lekë për një vit akademik. Ndërsa po të kalojmë në universitetet e rretheve, tarifat e studimit janë më të ulta, kjo edhe për vetë faktin se ato janë më pak të preferuar nga studentët.
Tarifat e shkollimit për vitin akademik 2009-2010
Në Universitetin e Tiranës
Për të gjitha programet e studimit:
Në Fakultetin e Shkencave Natyrore 15 000 lekë
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja 15 000 lekë
Në Fakultetin e Drejtësisë 30 000 lekë
Në Fakultetin e Shkencave Sociale 30 000 lekë
Në Fakultetin e Mjekësisë:
Programet e studimit:
Farmaci, Stomatologji dhe Shëndeti Publik 30 000 lekë
Në Programin e studimit Mjekësi 25 000 lekë
Në Fakultetin e Infermierisë 25 000 lekë
Në Fakultetin e Histori-Filologjisë 20 000 lekë
Në Fakultetin e Ekonomisë 25 000 lekë
Në Universitetin Politeknik të Tiranës
Në programin e studimit Arkitekturë 30 000 lekë
Në programin e studimit Inxhinieri Ndërtimi 25 000 lekë
Në programet e studimit:
Inxhinieri Elektronike dhe
Inxhinieri Elektrike 20 000 lekë
Për të gjitha programet e tjera të studimit 15 000 lekë
Në Akademinë e Arteve:
Në programin e studimit “Regji Filmi” 80 000 lekë
Në të gjitha programet e tjera të studimit 30 000 lekë
Në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”
Për të gjitha programet e studimit 20 000 lekë
Në Universitetin Bujqësor të Tiranës
Në programet e studimit:
Drejtim Fermash dhe Agrobiznes
Ekonomi dhe Politikë Agrare
Inxhinieri Pyjesh, Inxhinieri Përpunim Druri
Financë–Kontabilitet dhe Mjekësi Veterinare 20 000 lekë
Për të gjitha programet e tjera të studimit 15 000 lekë
Në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”
Për programet e studimit:
Gjuhë-Letërsi
Gazetari
Punë Sociale
Psikologji 15 000 lekë
Për të gjitha programet e tjera të studimit 12 000 lekë
Në Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej”
dhe në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”
Për të gjitha programet e studimit 12 000 lekë
Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Në programet e studimit:
Gjuhë-Letërsi
Punë sociale
Psikologji 15 000 lekë
Në programin e studimit Drejtësi 16 000 lekë
Në të gjitha programet e tjera të studimit 12 000 lekë
Në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”
Në programin e studimit Drejtësi 20 000 lekë
Në programin e studimit Gjuhë–Letërsi 15 000 lekë
Për të gjitha programet e tjera të studimit 12 000 lekë
Në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”
Për të gjitha programet e tjera të studimit 15 000 lekë
Viti i ri akademik
Qeveria miraton një pjesë të Masterave të Nivelit të Dytë
Masterat e miratuan për Universitetin e Tiranës, Bujqësorin, Politeknikun dhe Akademinë e Arteve
Procedurat e aplikimit sërish të “ngrira”, nuk miratohen kuotat dhe tarifat
Pas një vit pezullimi, miratohen 21 mastera të nivelit të dytë për katër universitete publike të vendit. Konkretisht, qeveria ka miratuar 10 mastera njëvjeçar për Universitetin e Tiranës, një për Politeknikun, tre për Akademinë e Arteve, dhe shtatë për Universitetin Bujqësor të Tiranës. Vetëm një ditë pas deklaratës së bërë nga kreu i Universitetit të Tiranës (UT), Dhori Kule, se rrezikohej nisja e vitit të ri akademik në këtë institucion, kreu i qeverisë ka miratuar 10 mastera të nivelit të dytë nga rreth 50 propozime që kishin bërë drejtuesit e UT-së. Konkretisht janë miratuar mastera të nivelit të dytë për Fakultetin Filologjik, Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Sociale. Programet e studimeve “Master i nivelit të dytë” realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe kohëzgjatja normale është, minimumi, një vit. Sipas vendimit të qeverisë, këto programe studimi e fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010. Ndërkohë që qeveria nuk ka miratuar kuotat dhe tarifat e studimit, por vetëm masterat si tituj studimi, procedurat e aplikimit nuk mund të nisin në asnjë prej fakulteteve.
Masterat e miratuar për Universitetin e Tiranës
Fakulteti i Historisë-Filologjisë
Master në “Gjuhësi”
Master në “Studime letrare”
Master në “Shkencë e bibliotekave”
Master në “Gjeografi”, me drejtimet:
“Gjeografi fizike dhe mjedisore”
“Gjeografi humane dhe rregullim territori”
Fakultetin e Shkencave Sociale:
Master në “Kërkime në edukim”
Master në “Kërkim psikologjik”
Master në “Kërkim shkencor në punë sociale”
Fakultetin e Drejtësisë:
Master në “Shkenca juridike civile”
Master në “Shkencat penale”
Master në “E drejta kushtetuese, e krahasuar dhe evropiane”
Masterat e miratuar për Akademinë e Arteve
Fakulteti i Muzikës
Master në “Kompozim”
Master në “Muzikologji”
Master në “Interpretim”, me profilet:
“Piano”
“Violinë”
“Violë”
“Violinçel”
“Klarinetë”
“Flaut”
“Muzikë dhome”
Kuotat dhe tarifat
Kuota e pranimit në këto programe studimi, për vitin akademik 2009-2010, është 15, prej së cilës 2 për kandidatët nga jashtë kufijve të vendit.
Tarifa e shkollimit për këto programe studimi është 100 mijë lekë dhe studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi.
Studentët e shkëlqyer nga cikli paraardhës i studimeve nuk e paguajnë tarifën e shkollimit.
Masterat e miratuara për Universitetin Politeknik
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike
Master në “Automatikë dhe teknologjitë e kontrollit”
Masterat e miratuara për Universitetin Bujqësor
Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit
Master në “Teknologji mjedisi”
Master në “Menaxhimi i resurseve dhe përmirësimi gjenetik i bimëve”
Master në “Kontrolli i integruar i parazitëve në bimë”
Master në “Hortikulturë e qëndrueshme”
Master në “Shkencat e prodhimit shtazor”
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit
Master në “Ekonomi dhe agrobiznes”, me profilet:
“Menaxhimi i ndërmarrjeve”
“Ekonomi dhe politika agrare”
“Zhvillimi rural i integruar”
“Menaxhim financiar”
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare
Master në “Mjekësi veterinare”, me profilet:
“Diagnozë laboratorike”
“Klinikë veterinare”
Bujqësori, çelet doktoratura në Mjekësi veterinare
Hapet doktoratura në Mjekësi veterinare në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në përfundim të këtij programi studimesh të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr), në mjekësi veterinare. Kohëzgjatja e këtij programi studimesh të doktoratës është, të paktën, tre vite, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kuota e pranimit në këtë program studimi, për vitin 2009, është 30.
Tarifa e shkollimit është 400 mijë lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Doktorantët, nga stafi akademik i brendshëm i institucioneve të arsimit të lartë, paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit.
Mbyllen dy degë në Universitetin Ushtarak “Skëndërbej”
Mbyllen programet e studimit, të ciklit të parë, me kohë të plotë, “Administrim biznesi” dhe “Inxhinieri elektronike”, në Universitetin Ushtarak “Skënderbej”, Tiranë. Studentët që vijojnë studimet në Fakultetin e Menaxhimit, dega Administrim biznesi në Universitetin “Skënderbej”, do të transferohen në Fakultetin e Ekonomisë, të Universitetit të Tiranës. Ndërsa studentët e Fakultetit Teknik, dega Inxhinieri elektronike do të transferohen në Fakultetin Elektrik, të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ministria e Mbrojtjes të vazhdojë respektimin e kontratës me studentët e mësipërm, në interes të përgatitjes së tyre për oficerë të Forcave të Armatosura, dhe të mbulojë tarifën e regjistrimit dhe tarifën e shkollimit pranë Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.
30 Korrik 2009