Kriza, LSI: Fond i veçantë në buxhet për rritjen e kredive
Fabiola Çela
Në buxhetin e vitit 2010 duhet të krijohet një fond i veçantë garancie për sistemin bankar, në mënyrë që të rritet kreditimi në sektorin bujqësor dhe atë energjetik në vend. Ky ka qenë propozimi i nënkryetarit të LSI-së, deputetit Dritan Prifti, për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Buxheti
Ministria e Financave ka nisur hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Përmes një deklarate për media, Nënkryetari i LSI, Prifti, ka theksuar se LSI-i ka gati propozimet e saj për buxhetin e vitit 2010. Përfshirja e propozimit të LSI-së në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ndihmonte në kapërcimin e efekteve të krizës në vend. “LSI-ja po punon për të përmirësuar programin e saj anti-krizë, që në momentin që të mblidhet Parlamenti dhe do të krijohet Qeveria e re, ne të kemi mundësi që të kontribuojmë në këtë qeverisje, për t’u shkëputur përfundimisht nga kriza dhe nga efektet e krizës në vend. Ne do të kemi dhe propozime konkrete për buxhetin e vitit të ri qeverisës 2010, pavarësisht se ai tashmë ka filluar të përpunohet në Ministrinë e Financave dhe ministri të tjera, por me krijimin e Qeverisë së re ne do fillojmë të kontribuojmë për të futur në këtë buxhet disa elementë të nevojshëm që ka LSI-ja në programin e saj”, është shprehur Prifti. Sipas tij, ata kanë propozuar krijimin e një fondi të veçantë garancie për kreditë. “Ne do të përfshijmë në këtë buxhet disa nga propozimet tona në këtë program, më konkretisht përfshirjen e një fondi të veçantë garancie për sistemin bankar, për të rritur kreditimin në sektorin bujqësor dhe në atë energjetik në vend. Mendojmë se këta dy sektorë janë dy shtyllat kryesore, ku rritja e kredisë mund të ketë ndikim të menjëhershëm për zbutjen e krizës dhe tejkalimin e kësaj krize”, ka deklaruar ai.