E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia s’ka buxhet, Tirana pa dekorime për festat



Edhe këtë vit kryeqyteti do t’i gdhijë ditët e festave nën zymtësi dhe mungesën e dekorimeve zbukuruese. Në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës atmosfera festive ndihet vetëm nga ato pak dekorime të bëra nga subjekte private. Ndërsa Bashkia e Tiranës, përgjegjësja e vetme për zbukurimin e kryeqytetit për festat e fundvitit, ka deklaruar se nuk ka buxhet. Ndërkohë që në vend të zbukurimeve, bashkia do thërrasë të performojnë një cirk me rreth 100 akrobatë, si dhe do të vendosë një pistë akulli në sheshin “Skënderbej”.

Bashkia

Zbukurimet karakteristike të fundvitit bashkia do t’i zëvendësojë me festa dhe aktivitete disa herë më të shtrenjta. Duke thirrur kështu në Tiranë një bandë cirku prej 100 akrobatësh dhe më tej duke instaluar një pistë akulli. Të gjitha këto aktivitete, shumë më të kushtueshme sesa zbukurimet tipike të festave të fundvitit. Por edhe për sa u përket dekorimeve, Albana Koçiu, drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit të Shërbimeve, është shprehur se qyteti po zbukurohet dhe se po përdoren pjesë të dekorit të një viti më parë. Drejtoresha Koçiu vijon më tej duke deklaruar se për shkak të ndërhyrjeve të qeverisë, ka bërë që dhe festat të ndihen shumë pak në kryeqytet, pasi zbukurimet në sheshet kryesore këtë vit janë më të pakta nga ana e bashkisë, madje përfaqësuesit e saj pranojnë se janë përdorur të njëjtat zbukurime të një viti më parë.

Aktivitetet

“Bashkia e Tiranës, pavarësisht problemeve në buxhet të shkaktuara nga qeveria, ka filluar prej ditësh dekorimin e qytetit me rastin e festave të fundvitit.

Vërtet po përdoret pjesë e dekorit të një viti më parë, për shkak se fondet e buxhetit vendor po cungohen dita-ditës nga qeveria”. Por përfaqësuesit e bashkisë thonë se këtë vit do të ketë disa të reja për qytetarët që do të festojnë në sheshet e Tiranës, me rastin e festave të fundvitit. Në sheshin “Nënë Tereza” po vendoset një cirk me rreth 100 akrobatë për të performuar deri në muajin janar. Ndërsa në sheshin “Skënderbej” do të vendoset një pistë e akullt e rrethuar nga një panair për të kënaqur të gjitha grupmoshat.

Ndërkohë që reagimet e Bashkisë së Tiranës erdhën pasi vetëm disa ditë më parë qeveria gjatë një komunikate për median deklaroi se do të jetë ajo që do të dalë për të zbukuruar qytetin, pasi Bashkia e Tiranës ende nuk ka vendosur të zbukurojë kryeqytetin me rastin e festave të fundvitit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›