Festat e fundvitit, kryeqytetasit “nuk braktisin” Tiranën
Oxhaku i ngrohtë i shtëpisë edhe pse metaforik në këtë rast, vazhdon t’i mbajë lidhur shqiptarët në shtëpitë e tyre. Tradicionalisht të festuara pranë familjes, festat e fundvitit këtë herë duket se nuk do të thyejnë traditën, pasi agjencitë turistike raportojnë rënie të ndjeshme, deri në 20 për qind të atyre që duan të festojnë jashtë vendit.
Klaudeta Bagaviki, menaxhere turizmi pranë një agjencie turistike në kryeqytet, shprehet se “kërkesat për të kaluar festat e fundvitit jashtë vendit kanë rënë krahasuar me vitin e kaluar”. Ndërsa, një tjetër operator i një agjencie në kryeqytet, lidhur me shkakun e rënies së numrit të prenotimeve thotë se “kur familjet duan të kursejnë apo kanë probleme ekonomike, të parat që kursehen janë pushimet”. Një tjetër veçori që vihet re më së shumti është se destinacionet që familjet kryeqytetase kanë zgjedhur për të kaluar festat e fundvitit janë vendet e rajonit. Maqedonia dhe Mali i Zi preferohen më shumë për arsye se një pjesë e qytetarëve shkojnë me makinat e tyre, ndërsa të tjerë i zgjedhin këto vende për arsye se kushtojnë më lirë.
Sipas agjencive turistike që operojnë në kryeqytet, pjesa më e madhe e prenotimeve për të kaluar fundvitin jashtë vendit kanë si destinacion vendet fqinje, sepse janë paketat që kushtojnë më lirë dhe këto vende janë më afër. Ndër vendet më të kërkuara është gjithashtu Turqia, e kryesisht Stambolli, vend me të cilin kemi disa tradita të përbashkëta dhe që nuk kërkon të marrësh vizë për të shkuar. Ndërkohë, një tjetër veçori që vërehet këtë vit sipas agjencive turistike, është se një pjesë i familjeve kanë zgjedhur të festojnë në një qytet tjetër nga ai që jetojnë.
Ski për Vitin e Ri
Së fundi tek shqiptarët ka “lindur” një pasion tërheqës, ai i skive. Sipas operatoreve të agjencive turistike në kryeqytet, qytetarët kërkojnë domosdoshmërish vende me dëborë dhe që kanë pista skish. Për të flakur tutje stresin dhe lodhjen e ditëve të rënduara me punë duke bërë ski, sidomos në periudhën e pushimeve të festave të fundvitit, është bërë tashmë traditë për një pjesë të shqiptarëve. Mavrova në Maqedoni apo Kolashini në Malin e Zi janë ndër stacionet që përzgjidhem në shumë dhe që ofrojnë të gjitha mundësitë për të bërë ski. Çmimet variojnë sipas vendit dhe kohës së qëndrimit, por vetëm me 160 euro për person për katër ditë vendet e rajonit ofrojnë mundësi të shumta.
Franca dhe Italia, më të kërkuarat
Dy nga shtetet evropiane më të përzgjedhura nga familjet kryeqytetase, por jo vetëm, janë Franca dhe Italia. Agjencitë turistike sqarojnë se këto vende janë të kushtueshme, por kategoria e personave që i ka përzgjedhur si vendin ku do të kalojnë festat e fundvitit janë shtresa e lartë e shoqërisë. Zyrtarët, biznesmenët apo kryesisht të rinj janë ata të paktët që kanë mundësi të kalojnë fundvitin në pjesën perëndimorë të Evropës. Sipas Erlis Shahut, operator në një ndër agjencitë e njohura në kryeqytet, “numri i personave që kanë vendosur të shkojnë në Itali apo Francë janë rreth 200 persona në të gjithë Shqipërisë” . Një numër shumë i vogël ky, dhe sipas z. Shahu, “të gjithë këta qytetarë i përkasin nivelit mbi mesataren ekonomike të vendit”.
Ndërsa, i pyetur nga “standard” nëse ka pasur prenotime nga qytetarë të huaj që dëshirojnë t’i kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri, përgjigjja ka qenë “asnjë”. Ndër agjencitë e pyetura rreth kësaj tema, në fytyrat e tyre vërehej zhgënjim, ndërsa pohonin se deri tani nuk ka asnjë kërkesë nga të huaj që duan të vijnë në Shqipëri.
Destinacionet, çmimi dhe koha e qëndrimit
Vjena–Pragë, 969 euro, për 6 ditë
Paris, 1095 euro, për 5 ditë
Stambolli, 449 euro, për 5 ditë
Sharm El Sheik, 779 euro, për 5 ditë
Kranjska Gora (Slloveni), 995 euro, për 4 ditë
Maqedoni, 159 euro, për 4 ditë
Dubai, 989 euro, për 5 ditë
Itali-Francë-Spanjë, 1169 euro, për 6 ditë