Gripi i derrit, arrin në katër numri i të vdekurve
Edhe një tjetër person ka gjetur vdekjen dje nga virusi AH1N1 në Shqipëri. Pas dy rasteve të njoftuara dy ditë më parë, edhe një viktimë është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes nga gripi i derrit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se i infektuari i fundit që gjeti vdekjen është nga Vlora. Ai ishte në emigracion dhe është kthyer në Shqipëri disa ditë më parë. Fillimisht është trajtuar me antibiotikë në banesë dhe më pas është shtruar në spital. Por, gjendja e 30-vjeçarit nga Vlora është rënduar dhe më pas e kanë dërguar në Sanatoriumin e Tiranës për mjekim më të specializuar. Por ai ka ndërruar jetë dje. Pardje gjetën vdekjen dy persona nga Shkodra, pasi ishin infektuar nga virusi i rrezikshëm. Më 3 dhjetor humbi jetën edhe një 57-vjeçar nga Sukthi i Durrësit. Në të gjitha rastet, të infektuarit kanë pasur problem të tjera shëndetësore. Numri i të prekurve nga virusi është mbi 300 persona në të gjithë Shqipërinë.