Muzika që dinte të bënte Kujtim Laro

Regjisori Kristaq Mitro kujton përvojën me kompozitorin e muzikës së filmit "Liri a vdekje". Pak edhe për shpirtin vetmitar të Kujtim Laros, intuitën, parimet e rrepta dhe përgjigjet ndaj censurës
Para dy netësh, trombisti Ismet Keta interpretoi me Orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar uverturën e filmit "Liri a vdekje" (1979) e kompozitorit Kujtim Laro (1947-2004). Pas "Nusja dhe shtetrrethimi" (1978), regjisori Kristaq Mitro bashkëpunonte për herë të dytë me Laron.
Mitro tregon se ai e nuhati shpejt muzikën që duhej të shoqëronte aksionin historik të Çerciz Topullit dhe Mihal Gramenos. "Ai pruri kohën qysh në notat e para", thotë Mitro dhe dallon te muzika e Laros një vlerë unikale. Kjo ishte arsyeja që regjisorët e kërkonin (kujtojmë bashkëpunimet e suksesshme me Dhimitër Anagnostin).
Shkroi muzikën e 35 filmave, si "I teti në Bronz" (1970), "Yjet e netëve të gjata" (1972), "Lulëkuqet mbi mure" (1976), "Udha e shkronjave" (1978), "Nëntori i dytë" (1982), "Fletë të bardha" (1990).
Z. Mitro, ishte disi e papritur që Orkestra e RTSH luajti uverturën e filmit tuaj "Liri a vdekje", një ndër realizimet më të përmendura të ish Kinostudios edhe për muzikën e Kujtim Laros. Si e kujtoni bashkëpunimin me të?
Ky ishte bashkëpunimi i dytë me kompozitorin Kujtim Laro. I pari ishte në filmin "Nusja dhe shtetrrethimi". "Liri a vdekje" ishte një angazhim i madh. Kujtimi kishte dëgjuar për filmin, kishte parë disa materiale dhe episode. Kishte parë fillimin e filmit, atëkohë muzgu, ku Mihal Grameno me Çerçiz Topullin hyjnë në tokën e tyre. Në këtë moment Kujtimi i ra një note muzikore.
Aty m'u duk sikur u shfaqën personazhet. Me një notë në piano ai pruri kohën, atmosferën me të gjitha nuancat e veta. Notat e para ishin edhe lajtmotivi i filmit. Donim të kishim një bashkëpunim të tretë, por nuk arritëm dot sepse ai ishte tepër i zënë. E respektonte punën dhe nuk punonte asnjëherë për dy filma bashkë.
Çfarë i karakterizon krijimet e tij?
Kujtimi e përkthente imazhin në muzikë. Kjo është vlerë. Nuk shkonte pas imazhit, në kuptimin që ta ilustronte atë, por e interpretonte, e çonte më larg, i jepte emocion. Ishte njeri i rrallë, një vlerë e padiskutueshme.
Kjo është arsyeja që regjisorët e ftonin. Ka bërë muzikën e 35 filmave dhe filmave të suksesshëm. E kam fjalën për "Lulëkuqe mbi mure", "Liri a vdekje", "Udha e shkronjave", "Pylli i lirisë"... Pastaj ai dinte ku shkelte.
Shihte regjisorin me të cilin bashkëpunonte dhe kishte një vëmendje të madhe ndaj skenarit. Ishte një njeri me shumë intuitë. E shikonte filmin që në skenar. Fillonte dhe e vizatonte. Pavarësisht bisedave pafund që bënte.
Si punonte?
Ishte rebel. Po të ndiente që diçka nuk i pëlqente, e merrte partiturën dhe i vinte zjarrin. Largohej dhe nuk dihej kur do të kthehej. Ai arratisej dhe ditë më vonë, shfaqej papritur në montazh.
Tek ai vepronte një mekanizëm i çuditshëm. Në moment dinte ta kuptonte atë që ishte bërë mirë dhe atë që nuk shkonte. Kujtoj një fakt interesant. Ai merrte kutitë e filmit dhe i vinte në vesh. Ishte si Anteu. Më thoshte: "Sikur po vjen një melodi nga larg, më duket se erdhi". E hidhte kutinë dhe ikte.
Çfarë kërkonte censura për "Liria e vdekje"?
Na kërkohej që t'i kthenim heronjtë në monumente. Por ne nuk e kishim fare në hesap këtë punë. Filmat tanë sot e kanë anashkaluar propagandën. Na bënë presion që Çerçizi, Mihali, Babë Hyseni, të ktheheshin në figura madhështore, të pompuara. Por, nuk pranuam.
A pati skena që u prenë apo fakte të vërteta që ju s'mund t'i përfshinit?
Për këtë film, faktor ka qenë Vath Koreshi. Ai na e besoi. Ishim të rinj dhe për ne ishte film i vështirë. Censura kërkonte t'i përdorte personazhet për të bërë propagandë. Mihal Gramenon e kërkonin komisar, Çerçizin e kërkonin si komandant të Luftës Nacional-Çlirimtare. Kërkonin një stereotip, por i ndërtuam ndryshe, në të gjitha drejtimet. U trajtuan si figura njerëzore.
Megjithatë, duhej kujdes edhe në guximin e tepruar. Tek "Liri a vdekje" u theksua atdhedashuria. Me këtë ne përfituam. Një fjalë e urtë e rilindësve i mbulonte të gjitha. Vetvetiu ata që i dëgjonin ato binin në grackë. Ata thoshin kjo është e partishme, por në fakt, ajo ishte patriotike.
A kaloi në të njëjtën sitë muzika?
Në përgjithësi, muzika e Kujtimit është kuptuar, është pranuar, i ka emocionuar njerëzit. Mund të kishte detaje që ishin shumë profesionale, të cilat Kujtimi i zgjidhte vetë. Ishte një kohë e vështirë kur duhej të bëje edhe autocensurë, në shumë drejtime.
Ka momente në film kur Kujtim Laro paralajmëron ardhjen e çasteve dramatike. Për këtë ai ishte mjeshtër. Në momentin e vrasjes së Bimbashit ka një shtresë muzikore shumë të gjetur.
Deri kur keni qenë pranë tij?
Gjithë kohën. Deri në momentet që erdhi demokracia dhe ai e vuajti shumë atë kohë, për shumë arsye. Bashkë me antivlerën, vetvetiu u përmbysën me diktaturën edhe disa vlera në art. Ne e kemi jetuar atë moment dhe Kujtimi ishte nga ata që e përjetoi keq. E ndiente veten të përjashtuar. Por, çfarëdolloj kohe të kalojë, Kujtim Laro do të duartrokitet.