Muret e 2 korrikut në këmbë akoma
Shkrimtari Zija Çela përballë lexuesit tregon për kufijtë që nuk kanë gjasë të rrëzohen: marrëdhëniet e huaja njerëzore.
Kur krijohet një qytet imagjinar domethënë se diçka është përmbysur tek njerëzit në botën reale. Metaforën urbane për një vend i quajtur Fifarë, i ndarë këtej dhe matanë Dajtit, Zija Çela e ka krijuar te romani i ri "Goja e botës" për një shpresë nga njerëzia që jeton e ndarë.
E thjeshtë ta quash zhvillimin shkakun kryesor që i ndan njerëzit, që i hedh ata te mundësitë për të qenë gjithkund, te burimi i vendeve utopike si një rrezik real i botës moderne.
Qytetet e Çelës dhe ata që i banojnë nuk u përkasin pretendimeve metafizike, por janë po aq të denjë, sepse prej modelit të fifarasve shkrimtari ka shkëputur për studim dhe zbulim një formë të rafinuar ekzistence të natyrës njerëzore: prirja për t'u ndarë nga tjetri, për ta asgjësuar tjetrin.
"Ja, siç jemi ne tani, në skenë dhe në sallë, kështu fillon Goja e botës." Autori inskenoi dje me fjalë në Teatrin e Metropolit në takimin me lexues, një ndarje të njerëzve si të ishte regjisor teatri.
Në romanin e tij pritet ardhja e një regjisori që do të vërë në skenë "Hamletin", pjesën e dashur të banorëve të Fifarës. Ky është qytet i mbyllur, i ndarë nga një mal i cili ka ndarë dhe banorët në dy palë që nuk e njohin dhe nuk komunikojnë me njëra-tjetrën.
Ata që jetojnë në Lindje, kur fryn era mbajnë vesh se çfarë po thotë Perëndimi, ç'halle ka, si jeton, ku po shkon bota. "Të ndarë kështu", e merr fjalën Çela, "na kujton datën në të cilën jemi sot.
Pas tre katër ditësh vjen dita e 2 korrikut, kur na thanë se u shembën muret, muret e ambasadave, dhe fituam lirinë. Mbas 20 vjetësh unë mendoj jo muret tona, dakord u shembën, u shemb dhe muri i Berlinit. Ky vend ka një mur të përjetshëm, të cilit herë i shembet dhe herë i rindërtohet. Është një mur që të gjithë ne e provojmë, dhe ky mur është kurrizi i njeriut.
Sa herë ja kthejnë shpinën njëri-tjetrit, ata kanë ngritur në mes një mur. Ndërpritet komunikimi, ndërpritet dashuria, ndërpriten marrëdhëniet. Por nevoja për komunikim është aq e madhe sa asnjë palë në këtë glob nuk mund të jetojë pa palën tjetër."
Në këtë kuptim, Evropa e Bashkuar nuk ka për ta pasur problem heqjen e kufijve deri në fund. Por problemi i saj mbetet, sipas shkrimtarit, pikërisht bashkimi.
"Njerëzimi gjithmonë do të ketë probleme të marrëdhënieve dhe jo të heqjes së kufijve të shtetit. Kufijtë ekzistojnë midis njerëzish, midis njerëzve në familje, midis vëllezërve, midis miqve. Ky mbetet kufiri që shtyhet, kufiri që lëviz.
Ky mbetet objekti i letërsisë."
Lënda e romanit është realiste, paçka se konsekuencën e stilit në krijimtarinë 30-vjeçare Zija Çelës ia kanë quajtur si e realizmit magjik.
Ai përgjigjet se ka qenë dhe mbetet një shkrimtar realist që shkruan për realitetin absurd. Vdekja është një përmasë që dominon realitetin e tij imagjinar. "Goja e botës" është quajtur i fundit i trilogjisë që përbëjnë romanet "Las Varrezas" (i shpallur proza më e mirë e vitit 2006) dhe "Sos, një buzëqeshje".
Romani fillon me një vdekje. Në intervistën e drejtpërdrejtë me autorin, shkrimtari Arian Leka, redaktor dhe botues i disa veprave të Çelës, e quajti praninë e vdekjes në to si në rolin e kryepunëtorit. Përmenden këtu prozat e hershme "Harrove këpucët o njeri", "Misteri i jetës", "Malli për vendlindjen", apo më të vona si "Gjaku im i errët".
Çela e ka thënë tjetër herë se njeriu gjatë jetës duhet stërvitur për të vdekur. Caku i fundit është një qëllim që mbërrin i fundit. Rrugës për atje njeriut i duket se ka vdekur po aq herë sa është përtërirë shpirtërisht.
"Sot kam kënaqësinë që midis jush kam fëmijët e Dritanit, dhe në pikëpamje të mentalitetit njerëzor doja të thoja që njeriu duhet të arrijë një çast që sado i madh të jetë mendimi i vdekjes, dhe vetë vdekja, duhet të ketë një rikuperim të shpirtit.
Dhe të kënaqet, thënë me dy fjalë, jo vetëm me lulen që e mbjell vetë, por dhe me lulen që mbin nga lulja. Ndoshta kjo përbën dhe thelbin e zhvillimit njerëzor."
Ai pranon që në letërsinë e tij qarkullon një frymë që i bashkon romanet, vazhdon të bëjë, si të thuash, të njëjtën gjë. Është sa çështje e mirëfilltë e letërsisë së tij po aq edhe e personit të tij.
Gjatë këtyre viteve janë parë autorë më një karrierë qysh nga para nëntëdhjeta të japin e marrin me atë që kanë shkruar dhe thënë, me përmbysje, qërime dhe alibi që do t'ua bënin gjumin më të lehtë. Zija Çela është nga pak përjashtimet që nuk e ka përdor letërsinë për punë dhe qëllime që s'janë të letërsisë dhe si klerik i saj ai nuk e pranon vetëvrasjen.
Për vetëvrasjen e shkrimtarit
"Nuk jam kundra asnjë lloj letërsie, por jam kundër vetëvrasjes së një shkrimtari sepse ndodh kur ti vret thelbin tënd, bëhesh i porositshëm, lakmues shumë mbas tregut, lakmues shumë mbas famës. Isha ulur te rruga "Myslym Shyri" sot, dhe po pija një kafe aty, nën hijen e rrapeve, dhe vura re kur kaloi një grua miope, përkrahu me një burrë të verbër.
Po i flisnin dhe qeshnin njëri-tjetrit, dhe në atë pakëz dritë orientoheshin. Dhe unë mendova: çfarë të gëzon në jetë? A është e domosdoshme të jesh i famshëm, për të qenë i lumtur?"
Për të shkruarit
"Kur shkruaj, shkruaj për vete, e përjetoj atë që shkruaj. Nuk kam parasysh askënd se një ditë do të arrijë në dorën e dikujt. Lexuesi i parë i romanit jam unë dhe a e dini, kur e marr vesh? Kur kam shkruar fjalinë e fundit. Vërtet është vuajtje krijimtaria, shkruaj sepse dua të zbuloj veten. Kjo është para.
E dyta, Zoti më ka ruajtur prej një gjëje dhe nuk e di, nëse është mirë apo keq. Nuk bëj garë me kërkënd. Unë bëj garë vetëm me vetveten. Qëllimi im është që në çdo roman që shkruaj të jap më të mirën e vetvetes. Por kjo nuk do të thotë që unë nuk e dua pastaj lexuesin. E dua, si nuk e dua."