E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia studim për mundësitë e zhvillimit ekonomik të Tiranës për 2009-ën



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës po kryen një studim për “Mundësitë e zhvillimit ekonomik për rajonin e Tiranës së madhe”. Nëpërmjet këtij studimi do të detajohen të gjitha zonat e Tiranës, ku mund të zhvillohet biznesi përkatës. Burime nga Bashkia bëjnë të ditur se studimi konsiston në përmirësimin e zhvillimit të suksesshëm të ekonomisë në Tiranën e madhe dhe jo vetëm, por edhe të ekonomisë shqiptare në tërësi. Projekti synon përgatitjen e një analize të detajuar të ekonomisë së kryeqytetit dhe komunave përreth. Studimi është në proces realizimi dhe do të përfundojë brenda dhjetorit të këtij viti. Ndërkohë që pas publikimit të tij, të gjithë biznesmenët apo qytetarët e interesuar do të njihen me të dhëna të plota, për mundësitë se ku duhet të hapin një biznes. Po kështu, do të studiohet edhe niveli i varfërisë në vend, që duket se po vjen drejt shtimit.
Detaje
Të gjitha të dhënat do të jenë të detajuara se ku mund të hapet një biznes industrial, elektronik, ushqimor etj. Studimi do të mundësojë zgjerimin e njohurive të publikut mbi performancën ekonomike të rajonit të Tiranës së madhe dhe zhvillimet e mundshme në të ardhmen. Po kështu, specialistët do të mundësojnë që qytetarët të njihen me të gjitha rrugët e mundshme të zhvillimit ekonomik, që në nismat e tyre të kenë më shumë mundësi kalkulimi për të qenë më të suksesshëm. Projekti është i ndarë në, ku gjatë dy muajve të parë, stafi i Bashkisë në bashkëpunim me ekspertë të huaj të fushës ka realizuar vëzhgimin mbi zhvillimin ekonomik aktual. Mbi bazë të këtij përcaktimi, në fund do të dalin përfundimet se si mund të realizohet hapja e një biznesi dhe përfitimet që do kenë. Pjesë e këtij studimi do të jetë edhe zhvillimi ekonomik që ka i gjithë vendi jonë.
Projekti
Implementimi i plotë i projektit do të përfundojë brenda muajit dhjetor 2009. Sipas Bashkisë, ky projekt u bë i mundur nëpërmjet mbështetjes financiare të fondacionit SOROS. Projekti ka një buxhet total prej 237,550 euro, nga të cilat 98,000 euro financohen nga vetë Bashkia e Tiranës. Studimet më të fundit të Bashkisë së Tiranës kanë parashikuar se 70% e ndërtimeve në kryeqytet janë informale. Ndërsa me përllogaritjen për numër popullsisë rezulton se 43 % e popullsisë së Tiranës jeton në informalitet. Sipas specialistëve, shtimi i numrit të popullsisë dhe zënia e tokave pas viteve ’90, pa marrë parasysh titujt e pronësisë, ka bërë që të rritet informaliteti në kryeqytet. Kjo është një pengesë për zbatimin e planit rregullues të kryeqytetit. Specialistët kanë përcaktuar sipas llojit të banimit, ku me ndërtime është e zënë 5 për qind e sipërfaqes së qendrës së qytetit; zonë me banesa të ndërtuara gjatë regjimit janë 9 për qind; ish-fshatrat zënë 3 për qind; zona me densitet të lartë popullsie 6 për qind; zonë historike me vila 6 për qind; zonë qendrore me strukturë mikse 5 për qind. Numri më i madh i popullsisë dhe i banesave është i përqendruar në zonat kryesore. Studimet tregojnë se numri i popullsisë do të shkojë drejt rritjes, ku pritet të trefishohet brenda këtij 10-vjeçari, duke arritur në 1.5 milionë banorë.

Gripi i derrave, diplomati nuk është i prekur me virusin A

Analizat e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, në lidhje me personin e dyshuar si të prekur nga virusi A, H1N1, rezultuan negative. Punonjësi i Ministrisë së Jashtme, Sajmir Rrepishti rezultoi i pastër nga virusi dhe mendohet se është prekur nga virozat e stinës. Kështu, tezat e hedhura një ditë më parë se virusi mund të ishte importuar nga Siria, duket se nuk është konfirmuar nga analizat laboratorike të autoriteteve shëndetësore. “Po patjetër, dje kanë përfunduar analizat e personit, i cili dyshohet që ka rezultuar i përjashtuar nga gripi i tipit A ose B. Ne kemi një dyshim për viroza të tjera respiratore, të cilat qarkullojnë normalisht në ndërrimin e stinëve dimër-pranverë. Për momentin ne e përjashtojmë gripin e tipit A dhe B”,- u shpreh Iris Hatibi, mikrobiologe pranë ISHP-së. Ndërkohë që specialistët shprehen se analizat e tjera po vazhdojnë, për të mbajtur nën kontroll këtë rast. Diplomati ka dalë nga izolimi i Spitalit Infektiv dhe po mbahet nën vëzhgimin e mjekëve, sipas protokollit normal. Po kështu, masat e marra nga stafi mjekësor dhe pacientët e tjerë, tashmë janë hequr, pasi rasti nuk përbën më rrezik potencial për të tjerët. Specialistët e Shëndetit Publik përsërisin masat që duhen marrë nga qytetarët. Alarmi për gripin e derrave ka vënë në lëvizje strukturat shëndetësore në të gjithë botën, duke përfshirë dhe vendin tonë. Specialistët kanë bërë të ditur se si duhet të evidentojmë rastet se kur një person është i prekur nga gripi i derrit. Specialistët sqarojnë se përhapja e sëmundjes ndodh nëpërmjet ajrit dhe nga kontaktet e drejtpërdrejta me kafshët, por nuk përbën problem nga konsumimi i mishit të derrit. Ndërkohë, që simptomat janë të njëjta me ato të gripit të njeriut dhe të gripit të pulës. Gripi i derrave shoqërohet me një problem frymëmarrjeje tipike që shfaqet tek derrat dhe që shkaktohet nga një virus i veçantë gripit të tipit A. Mundësia për t’u infektuar është më e madhe tek njerëzit që janë në kontakt direkt me këto kafshë, por pas të prekurit të parë kjo sëmundje fillon të përhapet me shpejtësi nga një person tek tjetri. Simptomat e këtij gripi tek njerëzit janë të ngjashme me simptomat e një gripi normal, temperaturë, kollë, dhembje koke, marrje mendsh dhe këputje. Shumë nga personat e prekur nga sëmundja kanë pasur edhe diarre dhe të vjella të vazhdueshme. Mënyrat e transmetimit të këtij gripi janë dy: ose përmes kontaktit me kafshët që bartin virusin ose përmes kontaktit me personat e sëmurë. Personat e prekur nga sëmundja konsiderohen të infektuar përgjatë gjithë kohës që janë me këtë grip dhe deri në 7 ditë pas shërimi total nga simptomat. Ndërkaq fëmijët mund të qëndrojnë të prekur nga ky virus edhe për një kohë më të gjatë. Virusi i cili e shkakton atë përmban komponentë të virusit të gripit të derrit, gripit të shpendëve dhe gripit të njerëzve. Pavarësisht se quhet gripi i derrit kemi të bëjmë me një virus të ri, i cili nuk është identifikuar më pare.

Këshillat dhe ekzaminimet që duhen për gratë shtatzëna

Gratë shtatzëna duhet të ndjekin një sërë rregullash për të përfunduar me sukses shtatzëninë e tyre. Mjekët rekomandojnë që ato të kryejnë një sërë vizitash për të mbajtur nën kontroll gjendjen shëndetësore. Të gjitha gratë shtatzëna duhet të kryejnë analizat e gjakut, EKO etj, për të parë ecurinë e shtatzënisë. Njëkohësisht, ato duhet të kenë një konsultë të vazhdueshme me mjekun që do të ndjekë ecurinë e shtatzënisë, i cili do të vendosë një kalendar të caktuar për vizitat dhe analizat që do të kryejë gruaja shtatzënë. Asistimi në lindjen e fëmijës dhe ndjekja e gjendjes shëndetësore të nënës dhe të fëmijës duhet të kryhet falas nga stafi mjekësor. Njëkohësisht, gjendja e fëmijës do të ndiqet falas deri në moshën 0- 6 vjeç.

29 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›