E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Shpëtim Spahiut, Gërdeci i kaloi MEICO-s 5 muaj pasi kishte nisur demontimi

Puna filloi që në muajin maj 2007 por urdhri i gjeneral Spahiut u dha në tetor. Kjo distancë kohore “vulos” favorizimin që iu bë kompanisë private nga ushtarakët

Një urdhër i gjeneral Shpëtim Spahiut i muajit tetor 2007 duket se ka nxjerrë në pah gjithë falsitetin e operimit në bazën e gërdecit. Ndërsa firma “Southern Ammunition” kishte nisur procesin e demontimit të fishekëve me kalibër të vegjël që në muajin maj. Ky urdhër i gjeneral Shpëtim Spahiut ishte i bazuar në urdhrin nr. 550 të të njëjtit vit të dhënë nga ish- ministri Mediu, ndërsa duket se ndryshe nga sa është pretenduar publikisht ish -reparti i tankeve në Gërdec është marrë në dorëzim nga ndërmarrja “MEICO” vetëm 5 muaj pasi puna kishte nisur. Deri në këtë kohë kontratat janë lidhur mes gjeneralëve të Shtabit dhe vetë Mihal Delijorgjit. Një tjetër fakt i rëndësishëm që bie në sy është se ish Shefi i Shtabit gjeneral Luan Hoxha nuk ka sigluar në asnjë dokument të kësaj procedure, duke rezultuar se ka pasur një lidhje të shkurtër korrespondence zyrtare mes gjeneral Shpëtim Spahiut dhe zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Muaji tetor kur u krye dhe kalimi i bazës së Gërdecit në llogarinë e ndërmarrjes “MEICO” përkon dhe me ardhjen e makinerive për demontimin e predhave të rënda. Ky proces nisi në fakt në janar 2008.
Pinari
Një rol të rëndësishëm në të gjithë këtë histori duket se ka luajtur dhe Ylli Pinari. Ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, ka qenë në kontakt intensiv me një prej ortakëve të firmës “Albademil”, Mihal Delijorgjin. Gazeta “Albania” botoi disa ditë më parë një e-mail që Pinari ka dërguar për Mihal Delijorgjin mbi mundësitë e ndërtimit të Fabrikës së demontimit, ndërsa në të njëjtën ditë që dërgonte këtë e-mail, zoti Pinari i kishte kthyer përgjigje dhe firmës “Southern Ammunition”, duke shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar për t’iu përgjigjur pozitivisht interesimit të kësaj firme. Në e-mail-in dërguar biznesmenit, zoti Pinari ka renditur një sërë bazash për t’u kryer demontimi, ndërsa në asnjërën prej tyre nuk është specifikuar si bazë alternative ajo e Gërdecit. Nga ana tjetër, në dokumentet origjinale të sekuestruara nga prokuroria është vërejtur një mbështetje thuajse pa asnjë lloj kriteri ndaj firmës amerikane “Southern Ammunition”, ndërsa në një letër-përgjigje që ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullahi, i dërgon pronarit të SAC-it, i thotë se qeveria shqiptare ka vendosur të mos i kërkojë kësaj firme që të paraqesë lejen e importit. Duket se çdo gjë ishte vendosur me kohë “nën tavolinë” dhe aktorët e kësaj historie kishin luksin që letrat ti bënin me 5 muaj vonesë.
Municionet
Ndonëse kaloi në muajin tetor në varësi të “MEICO”-s, baza e Gërdecit vazhdoi të ngelej një minierë pa inventar. Në raportin e ekspertëve financiarë mbi aktivitetin e firmës “Albademil” dhe , në një paragraf të veçantë jepet konkluzioni se ka qenë absolutisht e pamundur për ta që të saktësonin sasinë ekzakte të municionit që gjendej në Gërdec deri në datën 15 mars 2008. Ekspertët kanë theksuar në raport se kjo përllogaritje ka qenë e pamundur për shkak se nuk janë mbajtur fatura hyrje-daljeje të municionit sipas kritereve ligjore. “Duke u nisur nga dokumentet në dispozicion nuk jemi në gjendje të përcaktojmë se sa ka qenë sasia e saktë e fishekëve dhe shtimjeve në datën 15.3.2008, pasi nuk kemi një dokumentacion të mbajtur nga Forcat e Armatosura në funksion të VKM-së nr. 138, datë 14.03.2007, ku citohet se ‘Procesi i çmilitarizimit e çmontimit të kryhet në mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura, duke regjistruar në hollësi të dhëna për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe atyre të çmontuara e të çmilitarizuara si dhe nënprodukteve të tyre pas demontimit’. Duke u nisur nga sasia e skrap-tunxhit e shitur sipas faturave të deklaruara nga Albademil, janë shitur 2403 tonë, nga të cilat shtimje janë shitur 100 tonë. Mbi bazën e kësaj sasie nga përllogaritjet rezulton se në datën 15 mars 2008 në Gërdec ka pasur në gjendje municioni, shtimje rreth 5 mijë e 917 tonë”, - konkludon raporti.

Firma që menaxhoi municionin ishte pa plan biznesi

Duket se gjithë skema e ndërtimit të Fabrikës së Gërdecit ka qenë në funksion të fitimit, madje nga të gjitha dokumentet e sekuestruara nga Prokuroria dhe të studiuara nga specialistët rezulton se nuk ka pasur qoftë dhe një tabelë apo përllogaritje të vetme që lidhej me marzhin e fitimit nga firma “Albademil”. Specialistët e financave kanë “ngritur supet” kur janë pyetur nga Prokuroria se sa parashikohej të ishte marzhi i fitimit të firmës “Albademil”. Në përgjigjen e tyre ata janë shprehur se nuk ka ndonjë mundësi për të dhënë një përgjigje të saktë dhe të gjithëpranuar, pasi mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe këtij kontraktori privat nuk kishte asnjë plan-biznesi për fitimin e kontraktorit si pasojë e ushtrimit të aktivitetit. “Nuk ka një plan ekonomiko-financiar nga SAC-Albademil, ose nga ‘MEICO’ dhe Ministria e Mbrojtjes për planifikimin e fitimit nga demontimi dhe shitja e fishekëve dhe shtimjeve”, - është përgjigja e thatë e ekspertëve.
Në raport përllogariten gjithashtu fitimet e munguara nga kontrata me Pentagonin për shitjen e fishekëve, por edhe fitimet e munguara nga mospagimi i disa detyrimeve tatimore, ujit apo dritave, dhe disa taksave të tjera lokale. Në dukje këto detyrime të tjera duken jo të ndonjë rëndësie të madhe, por vlera e tyre vetëm për një vit arrin atë të 300 mijë eurove. Raporti i ekspertëve të pajtuar nga Prokuroria e Përgjithshme për të bërë analizën e kostos, fitimit dhe fitimit të munguar në Gërdec ka hedhur dritë mbi fitimet stratosferike të këtij aktiviteti. Ekspertët që kanë analizuar deri në detajet më të imtësishme praktikën ligjore dhe faturat e shitblerjes, kanë konkluduar se dëmi neto i provuar katërcipërisht është rreth 200 milionë euro vetëm në 1 vit intensiv aktivitet të Fabrikës së Gërdecit. Por ekspertët nuk kanë harruar të shtojnë në raport se kjo shifër presupozon vetëm një dëm të provuar, pasi në radhë të parë shumë sasi municioni mendohet se janë çuar në fabrikë në mënyrë të padokumentuar. Por ajo çka përbën dhe konstatimin më serioz lidhet me diferencën e thellë mes çmimit të blerjes në Shqipëri dhe çmimit të shitjes në tregjet ndërkombëtare. Vetëm në gjashtë muajt e fundit të aktivitetit të kësaj fabrike, çmimi i tunxhit u trefishua në tregjet ndërkombëtare, çmimi i skrapit u rrit me 80 për qind, ndërsa çmimi i barutit u dyfishua. Po të llogaritim këtu dhe rënien progresive të çmimit të blerjes në këta muaj (nga Albademil te MEICO), atëherë është më se e kuptueshme se çfarë tregtie e bekuar ka qenë për kontraktorët privatë ajo e demontimit të municioneve.

Ushtarakët: Shpëtim Spahiu dha urdhër verbal për firmën TDc që po ndërtonte pa leje

Pikërisht në kohën kur firma “Southern Ammunition” po siguronte licencën në Ministrinë e Mbrojtjes për të operuar në Gërdec, firma tjetër, “Trans Digging Constructions”, ia kishte nisur shkatërrimeve dhe ndërtimeve pa pasur asnjë leje për këtë punë. Dokumenti i sekuestruar nga Prokuroria tregon se më datë 11 qershor 2007, gjeneral brigade Astrit Jaupi i kërkonte gjeneral brigade Shpëtim Spahiut të depozitonte urdhrat shkresorë që do të justifikonin punimet që po kryente firma “Trans Digging Constructions” prej 2 muajsh në Gërdec. Të paktën kjo shkresë tregon se reparti ushtarak në fjalë funksiononte si ndonjë “qebaptore” private ku faturat bëheshin fiktive, pasi ndërkohë firma kishte nisur punimet në konsensus të plotë me shefat më të lartë të Ushtrisë, madje duke sikletosur dhe ushtarakë të tjerë që kërkonin me shkresa ndonjë letër sa për sy e faqe, ndoshta për të larë veten nga ndonjë kontroll i mundshëm. Në këto kushte natyrshëm lind pyetja: Ku buronte garancia dhe siguria e këtyre ushtarakëve që jepnin urdhra me gojë dhe nuk denjonin t’i firmosnin edhe pas kërkesave të përsëritura?! Si është e mundur që këta gjeneralë të përpiqeshin me urgjencë të “kopsitnin” letrat e kësaj firme, ndërsa kjo firmë kishte dy muaj që punonte pa kokëçarje në Gërdec?! Çfarë masash morën krerët e Shtabit apo të Ministrisë së Mbrojtjes kur u njoftuan nga Policia Ushtarake se një gjeneral i Ushtrisë shqiptare, zoti Shpëtim Spahiu, kishte lejuar me një urdhër gojor aktivitetin e një firme private në një bazë ushtarake, e dy muaj pasi firma kishte filluar punimet, pikërisht gjeneral Spahiu nuk kishte depozituar asnjë dokument ligjor për këtë çështje?!

29 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›