Depresioni e borxhet, var veten 58-vjeçari
TIRANE - Një 58-vjeçar i dha fund jetës duke varur veten në pemë, në oborrin e shtëpisë së tij. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:00 në fshatin Prezë të Tiranës. Xhemal Memaçi është gjetur pa jetë nga gruaja e tij, e cila ka njoftuar menjëherë policinë. Sipas burimeve nga policia mësohet se shkak i kësaj ngjarje ka qenë gjendja e vështirë ekonomike që po kalonte kohët e fundit familja Memaçi. Sipas dëshmive të familjarëve të 58-vjeçarit, familja kishte disa muaj që ishte zhytur në borxhe, pasi të gjithë pjesëtarët ishin të papunë. Kjo situatë sipas tyre kishte rënduar gjendjen psikologjike të kryefamiljarit, Xhemal Memaçi, i cili si rezultat i depresionit që po kalonte ka vendosur të vetëflijohet. Në kohën që ndodhi ngjarja, Memaçi ndodhej vetëm në shtëpi dhe e shfrytëzoi këtë moment për t'i dhënë fund jetës. Sapo e shoqja është kthyer në shtëpi ka parë të varur në pemë Xhemalin. Ajo është shoqëruar në Komisariatin Nr.6 ku ka treguar se 58-vjeçari prej disa ditësh sillej në mënyrë të çuditshme, por asnjë nga pjesëtarët e familjes, nuk e kishte menduar se ai do të realizonte veprimin fatal. e.d