Shkrumbohet fabrika e mishit në Shkodër, shkojnë dëm 3 milion euro investime
SHKODËR- Një zjarr i madh ka shpërthyer pak pas mesnatës në një fabrikë të prodhimit të mishit në qytetin e Shkodrës. Mësohet se zjarri ka përfshirë fabrikën “Meat Master”, që ndodhet në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, rreth orës 01:30 minuta të mëngjesit të së enjtes.
Ngjarja
Flakët kanë shpërthyer në godinën e paketimit të mishit e cila është shkrumbuar tërësisht. Nuk ka të lënduar pasi në orën kur kanë shpërthyer flakët në fabrikë nuk ka pasur asnjë punëtor. Roja i fabrikës sapo ka parë flakët që kanë dalë nga fabrika ka njoftuar zjarrfikësit. Vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm është arritur të shuhet zjarri. Sipas të dhënave të para të forcave zjarrfikëse, shkak i flakëve mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike. Forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje për të grumbulluar prova për hetime të mëtejshme të ngjarjes. Flakët të cilët kanë shpërthyer në godina e paketimit të mishit e kanë shkrumbuar tërësisht atë, ndërsa nuk kanë përçuar në fabrikën e përpunimit të mishit, e cila ishte ngjitur me të. Pronarët e fabrikës “Meat Master” vëllezërit Kimça kanë thënë për gazetarët se dëmi i shkaktuar kap vlerën e 3 milionë eurove.
Rastet
Kanë qenë të vazhdueshëm raportet mediatike në lidhje me djegiet e bizneseve. Më 4 janar 2008 zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale të cilat kapnin një shifër rreth 200 mijë dollarë, ku rreth 35 mijë kushtonin vetëm mallrat e fabrikuara. Mediat raportuan se një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu fabrikën e sfungjerit në Elbasan duke e shkrumbuar atë plotësisht. Flakët e zjarrit, të ardhura si pasoje e një qarku të shkurtër elektrik ranë në ambientet e fabrikës pak para mesditës. Megjithëse forcat zjarrfikëse shkuan në vendngjarje në një kohë shumë të shkurtër nuk mundën të shuanin flakët e zjarrit, të cilat në më pak se 10 minuta shkatërruan gjithë godinën e cila ndodhej në mjediset e Kombinatit Metalurgjik. Në momentin e rënies së zjarrit në fabrikë ndodheshin vetëm 3 punonjës të cilët u evakuuan në kohë rekord, duke shmangur një tragjedi.
Më 4 dhjetor 2008 gjuhët e flakëve përpinë fabrikën “Ardeno”. Në fillim zjarri përfshiu repartin e përpunimit të mobiljeve të firmës “Ardeno”, e cila u dogj totalisht dhe më pas ka përfshirë dhe magazinat, ku ndodhej dhe materialet e para drusore si dhe reparti i dërrasave. Mbi 20 zjarrfikëse shkuan në vendngjarje për të bërë të mundur izolimin e flakëve të cilat rrezikonin të përfshinin depozitat e gazit të kompanisë “Sofi Gaz”, që ndahet nga kompania në flakë vetëm nga një mur ndarës. Flakët kanë rrezikuar edhe disa banesa të zonës të cilat ndaheshin nga kompania vetëm nga muri ndarës.
29 Maj 2009