E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMPJUTERI I ZYRËS, MEICO injoronte të gjitha raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit



Gazeta ”Albania” boton sot një përgjigje që ekonomistët dhe juristët e ndërmarrjes ”MEICO” i kanë dërguar KLSH-së pasi kjo e fundit evidentoi shkelje dhe abuzime thuajse në çdo aspekt të funksionimit të kësaj ndërmarrjeje. Përgjigja mbart elemente të ”çuditshëm” që në hyrjen e saj pasi ekspertët e ”MEICO”-s deklarojnë se nuk mund të zbatonin udhëzimin e KLSH-së për të gjobitur drejtorin e tyre Ylli Pinari pasi sipas tyre kjo ishte kompetencë e ministrit, por nuk shpjegojnë nëse një gj e tillë i është kërkuar ministrit prej tyre në linjë zyrtare. Përgjigja e ekspertëve të ndërmarrjes së shit-blerjes së armatimeve nxjerr në pah abuzimet e kryera prej ”MEICO”-s sidomos me kompanitë e transportit dhe me kontratat me firmat e huaja për importin e lëndëve plasëse, një aktivitet monopol i ”MEICO”-s ky. Sot rezulton se asnjë nga personat e evidentuar përgjegjës nga KLSH-ja nuk ka mbajtur përgjegjësi për një numër të konsiderueshëm shkeljesh të kryera vitet e fundit. Kjo korrespondencë e ”MEICO”-s me KLSH-në është gjetur në kompjuterin e zyrës së ish shefit të marketingut të kësaj ndërmarrjeje , Spiro Zaka.

Përgjigja që MEICO i dërgoi KLSH-së në fund të vitit 2007

Në lidhje me rekomandimet e Kontrollit të lartë të Shtetit për arkëtimin e dëmit ekonomik të kontratës Barter, kjo dosje ju dërgua Prokurorisë së Rrethit Tiranë dhe detyrimet financiare u rrëzuan pas përfundimit të hetimit penal. Lidhur me konstatimin tuaj për mos nxjerrje të urdhër zhdëmtimit për drejtor Ylli Pinarin, ju bëjmë me dije se “MEICO” nuk ka tagër të nxjerrë urdhër zhdëmtimi për drejtorin e saj, por ky tagër është i Ministrit të Mbrojtjes. Në lidhje me sistemimin e kredisë së Agjencisë të Trajtimit të Kredisë nga ana e kësaj Agjencie u morr përsipër sistemimi i kredisë dhe ngelet jashtë MEICO-s sistemimi i saj. Në lidhje me marrjen e masave të rekomanduara nga KLSH për shkeljen e procedurave të prokurimit dhe gjobitjen e z. Spiro Zaka si kryetar i KVO dhe znj. Marsida Tasho si juriste, Këshilli Drejtues nuk e ka marrë në konsideratë për faktin se në baze të ish ligjit të Prokurimit Publik Nr. 7971, datë 26.07.1995 as KVO dhe as Juristi i Njësisë së Prokurimit nuk janë personat përgjegjës për caktimin e fondit limit. Të pasqyruara këto në observacionin përkatës (bashkëlidhur). Për sa i përket mosrinovimit të Këshillit Drejtues të vënë në dukje nga ana e juaj në faqen 4, gjatë kësaj periudhe i është kërkuar 2 herë Ministrit rinovimi i Këshillit, por nuk është bërë. Ndërsa për përcaktimin e detyrave të punonjësve ju bëjmë me dije se këto janë përcaktuar në kontratat individuale të punës.
Për sa konstatohen shkelje në faqet 14,15,16 në lidhje me prokurimin e shërbimit të kontejnerëve, ju bëjmë me dije se ishte një tender për shërbim transporti municioni të tonazhit specifik 40 ton në kushte të emergjencës. Pasi tenderi i pare kishte dështuar për mosparaqitje të asnjë konkurrenti, u gjykua se tejkalimi i vleftës së fondit limit në ofertë ishte shumë i vogël dhe të ardhurat që do të krijoheshin nga operacioni i eksportit me anë të këtij shërbimi ishin shumë herë më të mëdha dhe me përfitim të madh ekonomik për Ministrinë e Mbrojtjes dhe të ndërmarrjes, “de facto” ishim të detyruar të lidhnim këtë kontratë për kryerje shërbimi. Në dokumentacionin e shoqërisë “Du.Ma.S”., Durrës për të cilët është ngritur pretendimi se ka mungesë dokumentesh, ju bëjmë me dije se shoqëria është licencuar si Agjenci Detare nga M.P.P.T.T. dhe në Vendimin e Regjistrimit në Gjykatë është përcaktuar objekti i aktivitetit të shoqërisë si Agjenci Detare Spedicionere në transportin detar, tokësor dhe automobilistik, transport mallrash e udhëtarësh brenda dhe jashtë vendit, si dhe furnizim anijesh. Sa më sipër plotëson kushtin e kërkuar
nga ne.
Në projekt raportin e auditit për periudhën 01.09.2005 deri në 30.03.2007 nga ana e Auditit të Brendshëm referuar pikës 1, faqja 2 ku auditi ka konstatuar se Këshilli Drejtues nuk ka marrë në konsideratë urdhrin e M.M. Nr. 681, datë 13.12.2004 për pagimin e dëmit ekonomik të përcaktuar si të tillë nga ana e Kontrollit të Brendshëm të M.M. në programet e auditit nr. 9767 dhe 9835, datë 07.09.2004, se Këshilli Drejtues i Ndërmarrjes nuk ka nxjerrë urdhër zhdëmtimi për shumën 4 mijë e760 euro të konsideruar dëm ekonomik. Ky dëm është konstatuar sipas auditit për mosrealizimin në kohë të albumit historik për F.A. Ndërmarrja “MEICO” nuk ishte e vetme në realizimin e këtij prokurimi, pasi në kryerjen e tij ishte dhe Drejtoria e Prokurimeve e cila duhej të kryente procedurën e prokurimit. Këshilli Drejtues nuk e ka quajtur dëm ekonomik për të vetmen arsye se qëllimi i realizmit të këtij albumi me kushtet që kërkohej u arrit.

Në lidhje me kontratën e lidhur me Autoritetin Portual Durrës. Për çështjen e mos shlyerjes së pagesave nga ana e këtij subjekti me gjithë lëvrimin e mallrave nga ana jonë, konstatimi qëndron. Por nga ana tjetër edhe pala jonë ka pasur vonesa në lëvrim për shkak të disa vonesave objektive të firmave prej nga ne po importojmë materialet e
kontraktuara me Autoritetin Portual Durrës. Pikërisht për këto, jemi në punë e sipër për zgjidhjen e çështjes dhe shumë shpejt lekët do arkëtohen. Kjo dinamikë është e detajuar në dosjen përkatëse. Në lidhje me firmën “Ana” janë përdorur fonde të të tretëve për realizmin e porosisë përkatëse, dhe detyrimisht nuk mund të bëhej procedurë prokurimi si në të gjitha rastet e tjera Në të gjitha auditet e mëparshme nuk është kërkuar asnjë procedurë prokurimi për fondet e të tretëve. Konstatimi në faqen 35 për mos vjelje të penaliteteve nga firma maqedonase “MICEI” për shkak të vonesave në lëvrim nuk qëndron, sepse në fakt ne nuk mund të vjelim këtë penalitet pasi në kontratë, ky subjekt ka të sanksionuar afatin maksimal të lëvrimit 45 ditë, por të cilësuar “nga marrja e lejes së Eksportit” nga Autoritetet Maqedonase, gjë që është vonuar për shkak të zhvillimeve të reja në legjislacion, që kërkonin END-User-a të rinj dhe leje importi të reja për disa artikuj. E gjithë kjo dinamikë është e pasqyruar mjaft qartë në dosjen përkatëse. Së shpejti mbyllet e gjithë kontrata me lëvrimin e gjithë mallrave. Për sa konstatohet në faqen 37 parregullsi në pagesat që janë bërë paradhënie, fillimisht bëhet programi i punës për realizimin e detyrimeve dhe me kthimin e paradhënies bëhet me dokumentet përkatës justifikuese brenda kuadrit ligjor. Në asnjë rast nga ana e degës ekonomike nuk është bërë mbyllja e paradhënies pa dokumentet përkatëse.

Këshilli Drejtues për t’iu përshtatur zhvillimeve të reja ekonomike dhe të legjislacionit, zgjerimit të aktiviteti ka hartuar edhe Rregulloren e re të Brendshme të Ndërmarrjes Nr. 2693/263, datë 22.12.2004 si dhe ka marrë vendime në kompetencën e tij që rregullojnë aktivitetin e një ndërmarrjeje jo buxhetore me specifika të veçanta në veprimtarinë ekonomike. Gjatë gjithë kësaj periudhe të aktivitetit të ndërmarrjes vendimet e marra të gjitha me unanimitet nga anëtarët e Këshillit Drejtues nuk kanë krijuar asnjë lloj dëmi ekonomik ndaj shtetit dhe personave të tretë, përkundrazi siç është konstatuar dhe nga ana e juaj ka rritje të të ardhurave ekonomike dhe shtimit të punonjësve. Nuk qëndron pretendimi i konstatuar që mungon rendi i ditës në disa vendime. Të 14 vendimet e audituara në vitin 2005 dhe të 13 vendimet e audituara në vitin 2006 kanë rend dite të përcaktuar qartë. Këshilli është mbledhur siç edhe është konstatuar sipas ligjit të ndërmarrjeve jo më pak se 1 herë në muaj. Është shumë e qartë përse është mbledhur KD-ja edhe sipas ligjit atë e mbledh Drejtori i ndërmarrjes i cili njëkohësisht kryetar i saj. Pavarësisht aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e MEICO-s nuk thonë taksativisht që të ndërpritet aktiviteti i ndërmarrjes kur mbaron afati i ushtrimit të vlefshmërisë të Këshillit Drejtues. Nuk ka asnjë ligj ose akt nënligjor që ndalon aktivitetin ekonomiko financiar të ndërmarrjes jo buxhetore, kur anëtarët e Këshillit Drejtues janë punonjës të kësaj ndërmarrjeje dhe me funksione të tjera në ndërmarrje. Këshilli në asnjë rast nuk ka marrë vendime jashtë kompetencave dhe të argumentuara siç pretendohet në raport, në bazë të ligjit të ndërmarrjeve Nenit 18 pika 2 ai realizon në mënyre kolegjiale drejtimin e veprimtarisë së ndërmarrjes.
Për përcaktimet në faqet 46,47,48 në lidhje me kontratën e importit të lëndëve plasëse industriale me firmën bullgare “Videx Jsc” ju sqarojmë sa më poshtë: Ndërmarrja “MEICO” në zbatim të ligjit për ndërmarrjet, për plotësimin e kërkesave të ekonomisë (firmave e subjekteve të ndryshme) me lëndë plasëse industriale që nuk prodhohen në vend dhe me sigurimin e të ardhurave nga kryerja e këtij aktiviteti ekonomik. Referuar dosjes Nr. 328/2 datë 20.09.2004 sqarohet se me lidhjen e kontratës së importit Nr.1 datë 06.07.2005 me firmën “Videx”, kemi kërkuar pranë autoriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes miratimin e Lejes së Importit për mundësinë e realizimit të kësaj kontrate deri më datë 01.06.2006 nuk është miratuar Leja e Importit përkatës. Në këto rrethana më datën 01.06.2006 u nënshkrua kontrata e re importit Nr. 666 po me këtë firme pasi kontrata e mëparshme kishte afat vlefshmërie. Kontrata Nr. 1 skadonte në 30.12.2006 e firmosur në datë 06.07.2005 dhe deri në qershor 2006 nuk u lëshua leja e importit, në këto kushte për të njëjtat vlefta, sasi dhe çmime u hartua kontrata Nr. 665 me vlefshmëri datë 30.10.2007 e cila u plotësua dhe me leje importi e miratuar më datë 22.06.2006. Aneksi B i kontratës 665 i bërë nga firma pasi konfirmoi se nuk dispononte lëndë sipas pikës 3 të kontratës, “Videxit” por “Jelex”. Në lidhje me Aneksin C mbas 6 muajsh , Republika Bullgare hyri ne B.E. nga firma u njoftuam se kemi ndryshim të çmimeve për artikujt e mësipërm. Me ndryshimin e çmimit në burim u nënshkrua Aneksi C. Ndryshimi çmimit në kontratën e shitjes së këtyre lëndëve me subjektet është pasqyruar ky ndryshim çmimi.

Për sa konstatoni në faqen 49 ne nuk na rezulton dhe nga një rikontroll i dosjeve të kemi ndonjë firmë qe i kemi shitur lënde plasëse pa leje të përdorimit të lëndëve plasëse për përdorim civil nga autoritet përkatëse. Stoku që shet “MEICO” në interes të M.M. nuk mund të na vërë në penalitet për subjektet që blejnë. Meqenëse çmimet e furnizimit të stokut nga M.M. nuk janë ndryshuar nuk ka arsye që Këshilli Drejtues të mblidhet pasi çmimet i kemi vjetore. Në lidhje me dhënien me qira të ambientit të depos në Memaj subjektit “Bababsi Co” sipas konstatimit Tuaj në faqen 49, 50 është zbatuar kuadri ligjor dhe kompetenca e Këshillit Drejtues.

Grupi i Punës:
Spiro Zaka K/Degës Marketingut, Anëtar i K.D.
Martin Lazri Shef Sektori i Modernizimit, Anëtar i K.D.
Sali Frangu Specialist Marketingu, Anëtar i K.D.
Marsida Tasho Shefe e Sektorit Juridik

29 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›