E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia u ndërton shtëpinë nipërve të të moshuarës së dënuar

25/01/2009  Feride Bako u dënua për kultivim Canabisi

FIER- Bashkia kontribuon me rikonstruksionin e shtëpisë së vjetër të 75-vjeçares Feride Bako dhe 2 nipërve të saj jetim, banues në fshatin Mbyet në Fier. E moshuara e dënuar me 5 vjet heqje lirie për kultivim të lëndëve narkotike, vuan tashmë dënimin në burgun e grave në Tiranë. Qysh prej 2 javësh ka filluar rindërtimi i shtëpisë së tyre të lënë përgjysmë. Ndihma për 2 fëmijët jetimë, nipër të 75-vjeçares, djemtë e djalit të saj të vdekur, ka ardhur pas premtimit të kreut të Bashkisë së Fierit. “Ne na ka ndihmuar Bashkia e Fierit, - ka thënë njëri prej nipërve të saj, - dhe për këtë jemi shumë të kënaqur, sepse specialistë të ndërtimit po punojnë që të mbyllin shtëpinë që kishte ngelur përgjysmë.” Xhemal dhe Sokol Bako, përkatësisht 15- dhe 13-vjetarë, kërkojnë nga drejtësia që gjyshja e tyre të dalë nga burgu, jo vetëm për shkak të moshës së saj të madhe, por edhe për vetë kushtet sociale në të cilat ajo ndodhet. Ata i kanë kërkuar Presidentit të Republikës t’ua falë gjyshen, pasi vetëm atë kanë në këtë botë. Ndërkohë dy djemtë, ndonëse të vegjël në moshë, nuk ngurrojnë të punojnë bashkë me punëtorët për të përfunduar shtëpinë, e cila deri para pak kohësh ishte në gjendje të mjerueshme, ku dy minorenët jetonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›