E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfrytëzon mbesën si prostitutë,pranga 46-vjeçares

25/01/2009  Gruaja e dërgonte minorenen në disa motele përreth Elbasanit. Denoncuan prindërit

ELBASAN- Hetimet kanë zbardhur skemën më të çuditshme të shfrytëzimit për prostitucion, ku menaxhere e klientëve ishte tezja, që e përdorte mbesën e saj si prostitutë. Një ditë më parë efektivat blu të antitrafikut kanë ndaluar 46-vjeçaren Vule Cërriku, lindur në Mollas e banuese në lagjen nr. 3 Cërrik, me urdhër të prokurorisë së Elbasanit, pasi ishin grumbulluar dëshmi e prova për akuzën shfrytëzim prostitucioni.

Shfrytëzimi

Në bazë të këtij urdhri, 46-vjeçarja është ndaluar pasi dyshohej se ka shfrytëzuar në rrethana rënduese mbesën e saj, shtetasen K.SH, lindur më vitin 1992 në lagjen “Haxhias” të qytetit të Elbasanit. Mësohet se gruaja e ka përdorur vajzën për 4 muaj si prostitutë, duke i gjetur personat me të cilët vajza duhej të kryente marrëdhënie seksuale. Tutorja 46-vjeçare akuzohet për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese, parashikuar nga neni 114/a/1 i Kodit Penal. Ambienti ku kryej ky aktivitet ishin disa hotele e motele përreth qytetit të Elbasanit, ndërsa klientët në të shumtën e rasteve ishin punëtorë turq të ardhur në Shqipëri. Sipas të dhënave nga hetimi, gruaja e ka bindur vajzën e mitur, madje edhe e ka mbuluar në aktivitetin e saj për të mos rënë në sy të familjes. Por kanë mjaftuar dyshimet e këtyre të fundit për ta dërguar në pranga tezen e vajzës. Prej katër muajsh dy femrat linin takim dhe vendosnin edhe shumën që duhej të paguanin klientët e tyre, që varionte sipas orëve dhe sipas personit. Këto lëvizje të çuditshme kanë rënë në sy të familjes së vajzës së mitur, që e ka mbajtur për disa kohë nën vëzhgim. Më pas të afërmit i janë drejtuar policisë për të penalizuar gruan, të afërmen e tyre, e cila ua shndërroi në prostitutë vajzën 16-vjeçare. Shtetasja e ndaluar është marrë në pyetje nga agjentët e policisë për të zbardhur saktësisht të gjithë skemën e aktivitetit të paligjshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›