E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama braktis dialogun, fillojnë takimet e mëdha elektorale

25/01/2009  PS strategji të re paraelektorale. Synimi: kreu socialist në krye të tubimeve

“Dialogu me Shqipërinë” do t’ia lërë tani radhën takimeve në kuadër të fushatës elektorale. Lidershipi i Partisë Socialiste ka menduar që të ndërpritet bashkëbisedimi në zona të ndryshme të vendit, i cili zgjati për një kohë relativisht të gjatë, për t’u zëvendësuar me takimet elektorale. Takime këto që do të startojnë me nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se takimeve të shumta që zhvilloi kreu socialist Edi Rama në të gjithë vendin tashmë u ka ardhur koha që të mos zhvillohen më, pasi do të ishte një kosto në dëm të kësaj partie. Kjo për shkak të konsumit si të kryetarit të PS-së, ashtu dhe ekipit drejtues të saj, por njëkohësisht dhe për vetë banorët, të cilët do të lodheshin dhe me tej me takime të njëpasnjëshme. Aq më tepër që tashmë vendi ndodhet në prag të fushatës elektorale. Paralelisht me diskutimet mbi këtë çështje, pra për ndërprerjen e turit “Dialog me Shqipërinë”, lidershipi socialist po diskuton për hartimin e një strategjia, në bazë të së cilës do të zhvillohen të gjitha takimet në këtë kuadër. Synohet që tashmë kreu i PS-së të jetë në qendër të tubimeve dhe takimeve të mëdha elektorale. Njëkohësisht, duke mos lënë në hije takimet në çdo zonë, mendohet që kandidatët për deputetë që do të jenë në këtë mënyrë pjesë e listës, të punojnë fort me elektoratin, por sidomos me atë pjesë të banorëve që janë të lëkundur mes dy kaheve politike. Kështu, në takimet pothuajse të përditshme në zona do të jenë prezentë dhe duhet të organizohen nga kandidatët për deputetë. Ndërsa kreu i PS-së Edi Rama do të jetë i pranishëm në mitingjet e mëdha elektorale që do të planifikohen në çdo rreth. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ndërmori në fillim të shtatorit 2007 turin e tij “Dialog me Shqipërinë”. Në qendër të këtij turi do të ishte pikërisht njohja nga afër e problemeve të banorëve, duke kontaktuar drejtpërdrejt me ta. Në këtë largim të tij nga metropoli Rama zgjodhi si temë të parë për të dialoguar me shqiptarët arsimin, për t’u pasuar nga mjedisi, bujqësia, energjetika dhe uji. Por sikurse dihet, jo çdo zonë ka të njëjtat shqetësime dhe probleme me tjetrën. E për këtë arsye, përpara se Rama të zhvillonte takimet e tij, paraprakisht janë testuar zonat në të cilat do të zhvilloheshin bisedat mes banoreve dhe kryetarit të PS-së, i cili shoqërohej dhe nga pjesëtarë të ekipit drejtues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›