Bashkia vijon aksionin, prishen edhe dy ndërtime pa leje në kryeqytet
Tiranë- Edhe ditën e dielë, Inspektoriati Ndërtimor ka vijuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje që u kanë marrë frymën qytetarëve në kryeqytet.
Gjatë orëve të paradites, ky aksion ka nisur fillimisht me prishjen e një lavazhi në rrugën Shyqyri Ishmi, pranë Xhamisë së Tabakëve, në njësinë bashkiake nr.1.
Sipas inspektoriatit, objekti në fjalë ishte i paligjshëm, pasi nuk kishte leje për zhvillimin e aktivitetit dhe nuk dispononte leje për ndërtim lavazhi.
Pas depozitimit të një numri të madh ankesash nga banorët e zonës përreth, nisur edhe nga ndotja e madhe mjedisore dhe akustike që krijonte por edhe nga shpërdorimi pa kriter i ujit të pijshëm, Inspektoriati Ndërtimor ka ndërhyrë duke e kthyer këtë objekt në gjendjen e tij fillestare.
Ndërsa një tjetër objekt i paligjshëm që është prishur nga ana e Inspektoriatit Ndërtimor ka qenë një shtesë anësore në katin e tretë të një pallati, në rrugën Gjin Bue Shpata, pranë stadiumit Dinamo, pjesë e njësisë bashkiake nr.5.
Objekt i prishur nga inspektoriati
“Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Tiranës vijon me identifikimin e ndërtimeve pa leje si dhe sekuestrimin e betoniereve apo objekteve të tjera, të cilat do të goditen me forcën e ligjit nga ana e INU. Inspektoriati u rikujton qytetarëve, të mos ndërmarrin iniciativa të cilat bien ndesh me ligjin, duke shprehur kështu vendosmërinë për të mos toleruar asnjë ndërtim pa leje në territorin e bashkisë së Tiranës”,- thuhet në njoftimin e bashkisë së Tiranës.